Në muajin e parë të 2023-ës, Kosova akomodoi në hotele mbi 38 mijë vizitorë

Në muajin e parë të sivjetëm numri i vizitorëve që erdhën dhe u akomoduan në hotelet e Kosovës, ishte mbi 38 mijë, më shumë se gjysma e tyre ishin të huaj.

“Në janar 2023 numri i vizitorëve (vendor dhe të huaj) është 38,465, prej tyre 40.87%  janë vendor dhe 59.13% janë të jashtëm, ndërsa numri i net-qëndrimeve është 67,138 prej tyre 44.79% nga vendorët dhe 55.21%  nga të huajt”- thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas ASK-së, numrin më të madh të vizitorëve e ka regjioni i Prishtinës me 13,870 vizitorë, ndërsa numrin më të madh të net-qëndrimi e ka regjioni i Pejës me 23,520 net-qëndrimi.

Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj numri më i madh është nga Shqipëria, Zvicra, Gjermania, etj.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e anketës “Statistikat e Hotelerisë në Kosovë për periudhën Janar 2023”.

Në muajin janar, pjesë e anketës ishin 209 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e  Kosovës.