Parcelë me patate - 2023 - Foto - Naim Krasniqi - KALLXO

Prej vitit 2020 inputet në bujqësi u shtrenjtuan rreth 45%

Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK], për indeksin e çmimeve të inputeve në bujqësi, për vitin 2023, tregojnë se indeksi i inputit të përgjithshëm [Input 1 +Input 2] regjistron rritje për 0,6 për qind, krahasuar me vitin 2022.

Për më tepër në bazë të grupeve, indeksi vjetor i çmimeve të inputeve në bujqësi ka rënie për -7,0 për qind për Input 1, krahasuar me vitin 2022. Ndërkaq, indeksi i çmimeve për Input 2 ka rritje për 11,0 për qind.

Mirëpo sipas këtij indeksi, çmimet janë pothuajse 45 për qind më të larta të inputeve në bujqësi në krahasim me vitin 2020, vit ky që njihet ndryshe edhe si viti i pandemisë.

“Indeksi vjetor i inputit të përgjithshëm [Input 1 + Input 2] ka rritje për 44,8% në vitin 2023, krahasuar me vitin 2020”- thotë ASK.

Ndërsa sipas grupeve, indeksi vjetor i çmimeve të inputeve në bujqësi ka rritje për 37,6 për qind për Input 1 dhe 53,9 për qind për Input 2 në vitin 2023, krahasuar me vitin 2020.

Produktet që përbëjnë bazën për Indeksin e çmimit të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi [Input 1] dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi [Input 2].

Brenda grupit të mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues dhe energji; vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbimet e tjera.

ASK sqaron se për mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale [makineri dhe pajisje të tjera, ndërtesa dhe të tjera ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët e tjera përveç përmirësimit të tokës].

Tutje mësohet se ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion.

Burimi_Agjencia e Statistikave te Kosoves_ASK_ Indeksi i Çmimeve të Inputeve në Bujqësi, 2020 - 2023
Burimi Agjencia e Statistikave te Kosoves ASK Indeksi i Çmimeve të Inputeve në Bujqësi, 2020 – 2023