Në fund të gjykimit për keqpërdorim detyre, Kryetari i Novobërdës thyen heshtjen

Svetisllav Ivanoviq, është ulur në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Gjilanit për të dhënë fjalën përfundimtare lidhur me akuzën për keqpërdorim detyre.

Ivanoviq akuzohet se e dëmtoi Komunën e Novobërdës pasi i dha në shfrytëzim zyrën e komunës shoqatës së gjuetisë “Kalaja”. Ai gjithashtu akuzohet se dëmtoi shoqatën “Ujku”, pasi shoqatës “Kalaja”, i dha në shfrytëzim tërë territorin e Komunës së Novobërdës.

Ivanoviq në seancën e kaluar ishte mbrojtur në heshtje, kurse në seancën e sotme  pranoi të flasë.

Gjykata në seancën paraprake e kishte qortuar Ivanoviqin pasi kishte munguar 4 herë në seanca, çka kishte bërë që të dështojnë seancat gjyqësore ndaj tij.

Tutje në seancë, duke dhënë fjalën përfundimtare, Prokurori Arben Kadriu tha se e ka përgatitur me shkrim dhe se do ta elaborojë në pika të shkurtra.

“…Kjo fajësi vërtetohet me dëshminë e të dëmtuarit Hysen Zeqiri dhe dëshmitarëve qe janë dëgjuar dhe me vet deklaratën e të akuzuarit të dhënë në procedurë paraprake. Shoqata e gjuetisë “Kalaja”, e ka shfrytëzuar territorin e Komunës pa asnjë procedurë, gjithashtu Komuna e Novobërdës është dëmtuar ashtu siç është përshkruar në aktakuzë. I propozojmë Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, tha Prokurori Kadriu.

Kurse i akuzuari në fjalën e tij përfundimtare tha se e ka cekur edhe më herët se çështja e gjuetisë në komunën  Novobërdës është problem i madh.

“Konsideroj se nuk e kam shkelur ligjin edhe sa i përket sigurimit të zyrës për shoqatën siç kam deklaruar edhe më parë edhe kur unë nuk kam qenë kryetar atë zyre e kanë përdorur lloj lloj organizata ndërkombëtare dhe të Kosovës, unë nuk kam nënshkruar asnjë kontratë dhe nuk e kam dhënë me qira. Unë nuk kam dhënë as edhe një pëlqim për atë zyre dhe nuk kam kurrfarë faji në atë drejtim. Këtë e kam bërë në interes të qytetarëve të Novobërdës. I gjithë procesi i gjykimit mund të shihet se unë me së paku kam qenë i kyçur në atë proces. Kërkoj nga Gjykata qe të më shqiptojë vetëm vërejtje qe në të ardhmen te jem me i kujdesshëm, por unë do ta respektoj çfarëdo vendimi që ju jepni” tha i akuzuari Ivanoviq

Svetisllav Ivanoviq akuzohet se në muajin nëntor të vitit 2017 në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja”, në Novobërdë dhe shkaktimit të dëmit Komunës së Novobërdës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.

Sipas prokurorisë, Ivanoviq i ka shkelur të drejtat e personit juridik “Ujku”, në atë mënyrë që ne kundërshtim me ligjin dhe udhëzimet administrative ka nxjerr njoftimin ku për vitet 2017/2018 shoqatës së gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim tërë territorin e Komunës së Novobërdës duke i mundësuar përfitim material prej 11 mijë 260 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në kundërshtim me ligjin, Ivanoviq i ka dhënë shoqatës së njëjtë në shfrytëzim një zyrë në objektin e Komunës së Novobërdës duke i shkaktuar dëm ne vlerë prej 960 euro.

Shpallja e vendimit për këtë çështje do të bëhet me datën 19 shkurt.

Kryetari i Novobërdës sërish nuk i përgjigjet Gjykatës