Ndërtim mbi ligjin: Si u shndërrua Novobërda në zonë ndërtimi pa leje?

Hulumtimi disa mujor i Kallxo Përnime zbardh detajet mbi ndërtimet ilegale në Novobërdë, dyshimet për borxhin 20 mijë euro për vëllain e ish-kryetarit të komunës dhe heshtjen e Ministrisë së Bujqësisë për vlerësim të një vendimi të Kuvendit Komunal.

Ndërtime pa leje të qindra vilave në tokë pyjore dhe bujqësore, mjete financiare që dyshohet se u dhanë në formë huazimi për zyrtarë publikë dhe vendime të kundërligjshme që u morën për bazë në një proces gjyqësor; janë disa prej gjetjeve të hulumtimit të Kalllxo Përnime, të publikuar më 20.06.2025.

Historia nis në vitin 2020, kur dyshohet se Labinot Rexha dhe Bekim Hallaqi nisën ndërtimin e 30 vilave në fshatin Makresh i Epërm në komunën e Novobërdës. Atë kohë, drejtori i Inspeksionit në Novobërdë, Xhevat Mehmeti kishte nxjerr një aktvendim me të cilin urdhëronte ndërtuesin Labinot Rexha që t’i ndërpriste punimet.

Siç konfirmon ish-drejtori Mehmeti, punimet në Makresh të Epërm nuk u ndalën asnjëherë.

“Po ta zbatonte urdhëresën, ai s’i kish ndërtuar… Nuk kam nevojë unë me çu te organet e rendit, unë e kam pru vendimin, ia kam ndalu punën, pastaj punë e tij çka ka bë, organet e rendit është vet komuna…unë mendoj qashtu” – thotë Mehmeti për Kallxo Përnime.

Tutje, Xhevat Mehmeti tregoi që nuk i kujtohet nëse aktvendimi i është dorëzuar edhe palës, Labinot Rexha dhe nëse inspektorët komunalë kishin dalë në vendngjarje për inspektim.

“Vendimin e kam marrë unë, se unë kam qenë drejtor, unë kam të drejtë, kam pasë të drejtë me marrë vendim, a shirita me vendosë ose me procesverbal, drejtori nuk guxon me bë, me ligj u kanë qashtu…” – deklaroi ai.

Në anën tjetër, në një intervistë për KallxoPernime, vetë Labinot Rexha thotë se inspektorët komunalë asnjëherë nuk ia ndalën punën, ndonëse ndërtoi pa leje ndërtimore.

“Kurrë hiç nuk janë ardh inspektorët, asnjëherë. As inspektorët e pylltarisë, kurrë hiç nuk i kam pa…” – thotë Labinot Rexha.

Sipas legjislacionit në Kosovë, në tokë pyjore nuk mund të ketë ndërtime pa një vendim për ndryshim të destinimit. Sipas Rexhës, ai bëri kërkesë disa herë në komunë, por thotë se nga qeverisja lokale nuk mori përgjigjë pozitive.

Në anën tjetër, KallxoPernime ka siguruar një vendim të ministrisë së Bujqësisë, i cili mban datën 06.01.2022 me të cilin ministria që udhëhiqet nga Faton Peci, kishte refuzuar kërkesën për ndërrimin e destinimit të tokës për Labinot Rexhën, nga ajo pyjore, në tokë ndërtimore.

Dyshimet për dhënie të 20 mijë eurove

Kallxo Përnime ka siguruar një video-incizim ku shihet në takim Labinot Rexha dhe ish-kryetari i Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq. Në këtë takim, i cili është realizuar në vitin 2025, Rexha ia kujton bisedat në të kaluarën, ish-kryetarit të komunës.

“Askush nuk më është përgjigjur. Pas kësaj, u takova me ty. Ti më the “Kjo është super gjë e mirë që ka dikush që do të investojë këtu. Super. Bravo që investoni, vetëm vazhdoni!”” – dëgjohet duke i thënë Svetisllav Ivanoviqit, ndërtuesi Labinot Rexha.

Tutje, në bisedë flitet edhe për një shumë parash, që ndërtuesi, që Prokuroria e Gjilanit e akuzon për ndërtime pa leje, pretendon që ia dha vëllait të ish-kryetarit të Novobërdës.

“Më pas më thërret Sretani. Sretani më thotë: “Kam një punë, më jep nja 20 mijë euro”. Unë i thashë: “Kur do të m’i kthesh?” Tha: “Pas një viti, dy. Hajt, do të të ndihmoj me ndonjë punë” – pretendonte gjatë bisedës Labinot Rexha.

Gjatë bisedës, Labinot Rexha tregon se ish-ortaku i tij në biznes, Bekim Hallaqi i kishte dorëzuar paratë tek Sreten Ivanoviq.

“Kam nënshkrimin që ia ka dhënë Bekimit në… Nga banka i ka tërhequr Bekimi. Bekimi i ka tërhequr paratë nga banka. Ia dhashë 20 mijë. Kam nënshkrimin e tij. Le të m’i kthejë, të lutem!” – thotë ai.

Por Hallaqi, mohon të ketë bërë një veprim të tillë.

“Unë para Stretenit s’i kam dhënë kurrfarë para… Për këtë çështje, jo, jena taku na shoqërisht krejt qaty, me Labinotin bashkë në komunë aty kur jemi shku…Unë paret nuk ia kam dhënë, ndoshta Labinoti po, unë jo” – tha Hallaqi.

Vetë zyrtari komunal, Ivanoviq, gjatë bisedës, e mohon të ketë qenë në dijeni për paratë që pretendohet se u morën nga vëllai i tij, Sreten Ivanoviq.

Vëllezërit Ivanoviq mbajnë poste publike aktualisht në Komunën e Novobërdës. Svetisllav Ivanoviq është nënkryetar, ndërsa Sreten Ivanoviq është shef i Administratës.

Dy vëllezërit Ivanoviq nuk kanë pranuar të deklarohen për pretendimet e Labinot Rexhës.

‘Shkeljet ligjore’ të Inspektoratit Qendror të Pyjeve

Gjatë vitit 2021, Inspektorati Qendror për Pylltari dhe Gjueti, sipas një raporti të brendshëm të auditorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, kishte bërë një inspektim për ndërtimet në Makresh të Epërm të Novobërdës.

Inspektorët qendror nuk kishin bërë ndalimin e punimeve dhe prerjes së pyllit në lokacionin ku ndërtoheshin vilat nga Labinot Rexha. Por, siç përshkruhet në raportin që e siguroi Kallxo Përnime, kishin kërkuar nga autoritetet lokale të bëjnë një verifikim të të gjitha ndërtimeve pa leje. Por, raporti e konstatoi si shkelje këtë veprim të inspektoratit.

“Dyshohet se nuk është zbatuar legjislacioni në fuqi në këtë rast në momentin e konstatimit të inspektorëve se pronarët nuk kanë përfillur asnjë procedurë ligjore është dashur të merren të gjitha veprimet që të ndërpritet çdo ndërtim pa leje i cili nuk plotëson kriteret dhe nuk posedon dokumentacionin paraprak sa i përket prerjes së pyjeve dhe dëmtimit të tokës pyjore dhe të merren masat konkrete sipas kompetencave të inspektoratit dhe legjislacionit në fuqi” – thuhej në raport.

Raporti kishte konstatuar gjithashtu shkelje të tjera për kryeinspektorin e pyjeve, Besim Zogu.

“Për shkak të dyshimeve të bazuara për veprime kundërligjore, keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga ana e drejtorit të Inspektoratit, gjegjësisht; ndërhyrje, pengim dhe ushtrim ndikimi në punën e inspektorëve të DQIPGJ-së, mos-respektim të ligjeve dhe udhëzimeve administrative për marrjen e masave sipas kompetencave ligjore të DQIPGJ për pylltari dhe gjueti” – thuhej në rekomandimet e raportit.

Drejtori i Drejtoratit Qendror të Inspeksionit për Pylltari dhe Gjueti, Besim Zogu nuk ka pranuar të intervistohet me kamerë për këto dyshime, por përmes telefonit ka thënë që nuk ka qenë përgjegjësi e inspektoratit qendror të bëjë ndalimin e punimeve në Makresh të Epërm.

“Nuk ka preje ilegale bre ti i nderuar, në pyll privat prerje ilegale. Ajo është prerje pa procedurë, jo prerje ilegale, dallon prerja ilegale prej prerjes pa procedurë…damkim…” – tha Zogu.

“Ndërrimin e destinimit ne e kemi trajtuar e kemi obliguar komunën me vendim që me i procedu gjithë lëndën me gjykatë dhe e kemi obligu me çështje të ndërtimit janë inspektorët komunalë…” – tha tutje kryeinspektori i pyjeve.

Për ta sqaruar situatën dhe përgjegjësinë e inspektoratit qendror, janë kontaktuar edhe dy inspektorët që ishin në terren në ditën e inspektimit, Zahir Maloku dhe Bajram Spahiu.

“Nuk janë, me sa jemi ne në ngjarje, janë afër 100 raste që ka ngritë padi komuna, njësia komunale. Jo kallëzim penal nuk ka…janë toka private, tokat private, kundërvajtje kanë…Njësia e pylltarisë… Ata janë në ngjarje, ata janë në ngjarje më hollësisht, ata kanë ngritur procedurat dhe e kanë evidencën” – ka thënë për Kallxo Përnime, Zahir Maloku, inspektor i pyjeve.

Ndërsa, Bajram Spahiu ka thënë që nuk është kompetencë e inspektoratit të ndërhyjë kur prona është private.

“Dëgjo, për pronë private, është ligji që i rregullon tokat bujqësore, në tokë private edhe ndërtimet pa leje…sa i takon që nuk ka pëlqim për tokën pyjore, vetëm një procedurë kundërvajtje se është pronë private, me qenë pronë shtetërore që menaxhojmë ne, që inspektojmë ne, është procedurë tjetër…” – ka deklaruar Spahiu.

Ndaj Labinot Rexhës dhe Bekim Hallaqit, rokuroria Themelore në Gjilan kishte ngritur aktakuzë për ndërtim pa leje më 20.11.2023 për ndërtimin e rreth 130 villave.

Kjo prokurori dërgoi disa përgjigje ku konfirmoi që hetimet nuk janë zgjeruar edhe për zyrtarë komunalë, ani se në deklaratat e të dyshuarve, ata përmendin zyrtarët komunalë të cilët, sipas tyre, kishin dhënë dritën e gjelbër për ndërtimin e vilave.

“Prokuroria nuk ka ndërmarrë veprime për të hetuar persona të tjerë, pasi që nga Inspeksioni Komunal ka pranuar kallëzim penal, ka zhvilluar hetimet dhe në fund ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Labinot Rexha. Deri në fjalën përfundimtare prokurori i shtetit mund të propozoj rrënimin, mirëpo procedura rreth rrënimit janë procedura administrative që udhëhiqen nga Inspeksioni Komunal. Mirëpo, përveç Kalasë së Novobërdës, kjo nuk është zonë e mbrojtur dhe trajtohet si çdo fshat tjetër në regjion” – thuhet në përgjigje.

Vendimi i dyshimtë i Kuvendit Komunal

Një lagje tjetër me rreth 35 villa u ndërtua gjatë vitit 2023 në fshatin Kllobukar të komunës së Novobërdës. Praonar i vilave ishte Valon Ramushi.

Edhe në këtë rast, Prokuroria e Gjilanit kishte ngriturnjë aktakuzë, ndërsa më 03.04.2024, Gjykata Themelore në Gjilan e kishte dënuar Valon Ramushin me gjobë prej 2 mijë e 200 euro për ndërtim pa leje.

Gjatë analizimit të aktgjykimit, hulumtimi zbardh detaje rreth një vendimi të Kuvendit Komunal të cilin, gjyqtari Sadri Krasniqi e mori si rrethanë lehtësuese.

“Po ashtu gjykata pati parasysh edhe faktin se i njëjti ka bërë ndërrimin e destinimit të tokës, nga toka bujqësore në tokë ndërtimore, pastaj ka parashtruar kërkesë për t’u pajisur me leje ndërtimore, por ende nuk ka marrë përgjigje prej organeve kompetente” – thuhej në aktgjykim.

Sipas ligjit, çdo vendim i Kuvendit Komunal duhet të dërgohet në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) për vlerësim të ligjshmërisë.

Më 30.04.2025, MAPL përmes një përgjigje me shkrim konfirmoi për Kallxo Përnime që e ka pranuar vendimin e Kuvendit Komunal të Novobërdës. MAPL e kishte dërguar më 18.12.2023, sipas obligimeve ligjore, për vlerësim të ligjshmërisë tek ministria e linjës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Vendimi prezantonte ndërrimin e destinimit të tokës me pronar Valon Ramushi, nga toka bujqësore në tokë ndërtimore për disa parcela.

Ky dokument i Kuvendit Komunal të Novobërdës nuk ishte trajtuar nga Ministria e Bujqësisë për një kohë të gjatë.

Më 30.04.2025, pas interesimit të Kallxo Përnime, Ministria e Bujqësisë, nis ta trajtoj rastin për të verifikuar nëse vendimi i Kuvendit Komunal të Novobërdës ishte në përputhje me ligjin.

Më 07.05.2025, ministria që drejtohet nga Faton Peci kishte nxjerr një vendim që shpallte të pavlefshëm vendimin e Komunës së Novobërdës.

“MBPZHR pas kërkesës së parashtruar nga gazetari i Kallxo.com për mos-dërgim të vlerësimit të ligjshmërisë të vendimit të Kuvendit të Komunës së Novobërdës për rastin përkatës, MBPZHR i ka ndërmarrë të gjitha veprimet administrative në pajtim të nenit 83 paragrafi 3 nën-paragrafi 3.2 i Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, citohet: 3.2. organi publik vihet në dijeni të fakteve që kërkojnë fillimin e procedurës në mënyrë që të mbrohet interesi publik” – deklaroi ministria e Bujqësisë përmes një përgjigje me shkrim.

Ministria kishte dhënë edhe arsyet e vonesës në përgjigje të kërkesës së MAPL-së.

“Kjo kërkesë, siç ju kemi njoftuar edhe më herët nuk është adresuar me kohë tek zyrtarët kompetentë për shkak të disa pengesave të natyrës administrative dhe rrjedhës së brendshme të dokumentacionit, si dhe në mungesë të ndonjë iniciative shtesë nga Komuna e Novobërdës apo MAPL për të kërkuar sqarime shtesë lidhur me çështjen përkatëse, ka mbetur pa u trajtuar” – thuhej në përgjigje.

“Vendimi i aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Novobërdës i datës 30.11.2023 është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi sepse me planin zhvillimor komunal është paraparë si tokë bujqësore dhe nuk është e lejuar për ndërtim, andaj është e planifikuar si tokë bujqësore, në të cilën nuk lejohet ndërtimi, pra gjendet brenda zonës bujqësore, dhe rrjedhimisht nuk lejohet ndërrimi i destinimit nga tokë bujqësore në tokë ndërtimore” – konfirmoi ministria tutje përmes përgjigjes zyrtare.

Në një përgjigje përmes telefonit, Valon Ramushi tha se nuk ka qenë në dijeni që vendimi i Kuvendit Komunal është i kundërligjshëm në momentin e dorëzimit në Gjykatë dhe Prokurori të Gjilanit.

“Nuk e kemi ditë, për herë të parë prej teje po e dëgjoj edhe nuk jam i informuar me këtë që po e thua ti. Unë deri në këtë moment e di që jam gjithçka në rregull sa i përket ndërrimit të destinimit e procedura e kushteve ndërtimore, lejet ndërtimore, ne e dimë që jemi krejt në rregull. Mirëpo atë duhet me këqyrë në bazë të anës juridike, ti po thu që është, ne duhet me hulumtu” – deklaroi Ramushi për Kallxo Përnime.

Në anën tjetër, gjyqtari i pensionuar Sadri Krasniqi ka thënë që nuk i kujtohet rasti.

“Më falni, më falni…unë asgjë s’mund të them për rastin nuk e di, s’po më kujtohet si rast, si rast nuk e di, tash jam në pension, nuk kam qasje… Unë nuk e di çfarë dokumenti më kanë sjell palët, mu nuk më kujtohet si rast, ka kaluar një kohë e gjatë edhe…s’mundem asgjë me fol” – deklaroi gjyqtari në pension, Sadri Krasniqi.

Gjykata Themelore në Gjilan, përmes zyrës për informim, nuk ka pranuar të komentoj rastin.

“Siç edhe ju kemi përgjigur më datë 23.04.2025, ju përgjigjemi sërish, se siç e dini nuk lejohet komentimi i vendimeve të Gjykatës dhe ka instanca të tjera gjyqësore që vlerësojnë vendimet e shkallës së parë. Prandaj, rezervohemi të komentojmë dhe të përgjigjemi pyetjeve të parashtruara dhe çdo të dhënë që ju nevojitet e keni në aktgjykimin të cilin edhe ju kemi dërguar dhe është i publikuar” – thuhet në përgjigje të gjykatës.

Në aktgjykim përmendet prokurorja Kujtesa Fazliu që nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë së të akuzuarit. Siç merr vesh Kallxo Përnime, prokurorja Kujtesa Fazliu e kishte përfaqësuar prokurorinë në ditën e shpalljes së aktgjykimit, ndërsa prokurorja që ngriti aktakuzën ishte Leonora Kadriu.

Kallxo Përnime ka kërkuar të intervistojë Kujtesa Fazliun dhe Leonora Kadriun, por të njëjtat nuk janë përgjigjur pozitivisht ftesës.

Përmes një përgjigje me shkrim, Prokuroria në Gjilan e ka konfirmuar që nuk e kanë verifikuar dokumentin e dorëzuar nga Valon Ramushi.

“Meqenëse ka qenë vendim i Kuvendit Komunal, si organ kolegjial, ka pasur vulën, numrin e protokollit dhe nënshkrimin, i njëjti nuk është verifikuar” – thuhet në përgjigje me shkrim.

“Kallëzimi penal nga Drejtoria e Inspeksionit në Novobërdë, është dorëzuar në Prokurori më datë 25 Tetor 2023, aktakuza është ngritur më datë 19 Dhjetor 2023, i akuzuari nga gjykata është dënuar dhe është shpallur fajtor më datë 03 Prill 2024, ndërsa Ministria e Bujqësisë deri në këtë kohë nuk ka dorëzuar ndonjë  opinion ligjor se vendimi është i jashtëligjshëm dhe për këtë Prokurori nuk ka njohuri” – shpjegoi Prokuroria.