Shkolla fillore "Faik Konica", Prishtinë, Foto: Rinesa Osmanaj, KALLXO.com

Në festivalin e shkollës 'Faik Konica' për nxënësit, lëshohet muzikë me gjuhë të urrejtjes

 

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Faik Konica” ka mbajtur festivalin “KonicaFest”, mirëpo për ‘dispononim’ e nxënëseve të kësaj është lëshuar një këngë me përmbajtje jo të duhur.

Gjatë ditës në rrjete sociale është publikuar një video e festës tek kjo shkollë ku dëgjohet muzikë që brenda tekstit të saj përmban gjuhë të urrejtjes, vulgare e gjëra të tjera.

KALLXO.com ka kontaktuar me zyrtarët e kësaj shkolle dhe të njëjtët kanë thënë se ‘ka qenë lëshim teknik i DJ-it’.

“Ajo çka shihet në video ka qenë një lëshim teknik nga DJ i kontraktuar nga shkolla, dhe ne sapo e kemi vërejtur kemi ndërhyrë për ta ndalur”, është thënë në përgjigjen e shkollës për KALLXO.com.

Në përgjigje po ashtu thuhet se shkolla paraprakisht ka përgatitur një palylist të censuruar.

“Në kuadër të këtij festivali, shkolla ka organizuar dy festa, të ndara për klasat 6, 7 dhe 8, 9. Për këto festa, është përgatitur një playlistë (të cilën mund të jua dërgojmë dhe ta shihni datën e krijimit të saj) të censuruar”, është thënë tutje.

Nga shkolla “Faik Konica” kanë thënë se nuk ka qenë qëllimi i tyre që të promovojnë gjuhën e urrejtjes të paraqitur në këngë.

Ata po ashtu kanë kërkuar mirëkuptim duke thënë se gabimet mund të ndodhin çdo herë, dhe kjo këngë është luajtur për jo më shumë se një minutë.

“Ne kërkojmë mirëkuptimin tuaj, duke qenë se gabimet mund të ndodhin çdo herë, dhe kjo këngë është luajtur për jo më shumë se një minutë”, është thënë tutje.

Kënga për të cilën bëhet fjalë është “Dior (Remix) Pop Smoke”.

Një pjesë e tekstit është “Huh, roll another one Said I’m never lackin’, always pistol packing (This is a Melo beat) With them automatics, we gon’ send him to heaven (Huh)”.

Videon e postuar në rrjete sociale mund ta shihni KËTU.