Ilustrim

Liria e shprehjes që kalon në gjuhë të urrejtjes ndaj grave aktiviste në Kosovë 

Mijëra mesazhe me thirrje për vrasje, linçime u transmetuan në momentin kur Zana Avdiu kritikoi një sjellje të futbollistëve shqiptarë. Por fushata e egër ndaj saj nuk u procedua me arrestime apo veprime konkrete nga institucionet ligj-zbatuese.

Aktiviste të OJQ-ve u arrestuan vetëm pse gjuajtën me ngjyrë gjatë një proteste për të dënuar një vrasje të një shtatzëne brenda oborrit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Të dhënat nga Policia e Kosovës tregojnë që në vend janë hapur vetëm 22 raste të nxitjes së urrejtjes.

Sipas një raporti të ATCR-së, Mediat, Shoqëria Civile dhe institucionet duhet të kenë rol aktiv në luftimin dhe parandalimin e gjuhës dhe krimeve të urrejtjes.

Raporti i ATRC-së konstaton se Media duhet të luaj një rolin e saj pikërisht për shkak të impaktit të madh që ka dhe mundësisë së përqimit të mesazhit të gabuar.

”… kërkohet përmirësimi i mëtejshëm i kurrikulës mësimore në universitet në lëndët që trajtojnë këtë dukuri, si p.sh. tek Etika e medias. Krahas rritjes së ndërgjegjësimit të gazetarëve nevojitet zhvillimi i studimeve të mëtejshme, ku fokusi të mos jetë vetëm tek gazetarët, por edhe tek audiencat në kushtet kur ka një rritje të interaktivitetit mes medias dhe audiencës”.

Gjetjet e publikuara nga ATRC, theksojnë edhe mungesën e reagimit institucional, karshi personave që nxisin gjuhën e urrejtjes.

Nē raport thuhet se përgjigjja e duhur dhe dënimi i akteve të gjuhës dhe krimeve të urrejtjes nga ana e institucioneve lokale dhe qendrore është komponent kruciale në luftimin e këtyre rasteve.

“Mungesa e dënimit publik të këtyre rasteve, ose të shprehjes së indinjatës nga ana e atyre që kanë rol vendimmarrës dërgon një mesazh që këto akte janë të pranueshme dhe me pasoja të vogla. Në kontrast, një përgjigje e përshtatshme nga funksionarët publikë dërgon një mesazh të mbështetjes për viktimat individuale dhe komunitetin e prekur, e në të njëjtën kohë forcon ndjenjën e sigurisë në Republikën e Kosovës”.

Ballafaqimi i grave aktivisteve me gjuhën e urrejtjes

Neri Ferizi është aktivistja e cila ra nën prangat e zyrtarëve policor duke protestuar më 1 dhjetor të vitit të kaluar, që u mbajt pas vrasjes së shtatzënës Hamide Magashit nga bashkëshorti i saj. 

Ferizi në një prononcim për KALLXO.com thotë se gratë në çdo mjedis atakohen për shkak të gjinisë, dhe në aktivizëm gjuha e urrejtjes është e theksuar, duke thënë se nuk ka dëshirë që të lë të nënkuptohet që për shkak të aktivitetit që gratë aktiviste bëjnë edhe atakohen më shumë.

Ajo thotë se ky atakim vjen pasi zëri që këto gra ngritin është përfaqësim edhe i shumë grave të tjera.

“Zani ynë është përfaqësim i shumë grave dhe jo vetëm grave e veçanërisht kur aktivistet janë gra/vajza, që do të thotë një pjesë e madhe e grave nuk atakohen me argumentim, por me personalen dhe dukjen” – shprehet ajo.

Aktivistja tregon për një rast ku është përballur me gjuhë të urrejtjes, në të cilën kishte marrë një koment që ajo dhe aktiviste të tjera feministe ishin quajtur “të degjeneruara”.

Ajo thotë se përmes profilit të saj në një rrjet social ka qenë duke i mbështetur disa aktiviste feministe, të cilat sipas saj kanë qenë duke protestuar përmes grafiteve, pjesë e së cilave nuk ishte Ferizi.

Sipas saj, pas këtij komenti ajo ka marr edhe mesazhe private që e akuzonin atë dhe se po i jepnin edhe epitete të ndryshme.

“Marrë parasysh që këta liderë kanë një mal me mbështetës, ka qenë goxha problematike pasi që një pjesë e këtyre mbështetësve filluan të më shkruanin privatisht e duke më akuzuar dhe duke më dhënë epitete të ndryshme” – rrëfen  Ferizi.

Më tej, ajo thotë se ky nuk është rasti i vetëm, pasi e njëjta tregon se ka marr edhe kërcënime për aktivizimin e saj nga biznesmenë të ndryshëm në momentet kur ka reaguar rreth shkeljes së ligjit që sipas saj bëjnë këto biznese.

Ajo tregon se rastet e kërcënimeve dhe të gjuhës së urrejtjes që ka pranuar nga të tjerët nuk i ka raportuar në organet e rendit, duke thënë se nuk i ka marr seriozisht dhe ka vazhduar me aktivitetin e saj.

Për rastet e kërcënimeve Ferizi thotë se ndoshta është dashur t’i lajmëroj në Policinë e Kosovës, por ajo tregon se duke i njohur kërcënuesit ka qenë e vetëdijshme që reagimet e tyre kanë mundur të jene ‘nën afekt’.

“Kurse sa i përket gjuhës së urrejtjes dhe tentimi për të nënçmuar figurën tonë me epitete si: “të degjeneruara”, “këto feministet janë k**va”, “këto janë të frustruara seksualisht” e të tjera, mendoj që organet e rendit nuk janë duke i trajtuar këto raste, prandaj edhe nuk i kam lajmëruar” – ka thënë ajo.

Ferizi shton se sheh që epitete të tilla janë edhe publike dhe secili mund t’i shoh, por që askush nuk ndërmerr asnjë gjë.

Gjuha e urrejtjes që Ferizi pranon ajo thotë se vjen më shumë nga komente që kryesisht janë nga gjinia e kundërt, pra burrat.

Aktivistja thotë se këta të fundit sikur e gjejnë një ambient të sigurt për t’u shprehur.

“Ata guxojnë duke e ditur që ne jemi gra dhe nuk ua zëmë derën, nuk përballemi fizikisht” – tregon Ferizi duke treguar se diçka e tillë nuk i ka ndaluar asnjëherë që të vazhdojnë me aktivitetin e tyre.

Madje ajo shprehet se këto komente me gjuhë të urrejtjes e arsyetojnë më së shumti veprimtarinë e tyre të përditshme në luftën për barazi. Ajo thotë se mekanizmat që do të parandalonin shprehjen e lirshme të gjuhës së urrejtjes janë Policia dhe Prokuroria e Shtetit.

“Do të duhej më shumë t’i trajtonin këto raste, pasi duke i trajtuar këto raste do të fitonin besimin e grave, të cilat më lehtë do t’i lajmëronin edhe rastet kur kërcënohemi privatisht” – thotë Ferizi duke shtuar se besimi në institucione nga ana e grave çalon “goxha shumë”.

Aktivistja tjetër, Luljeta Aliu nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi thotë se ka pasur dhe vazhdon të ketë gjuhë të urrejtjes për shkak të angazhimeve të saj edhe si analiste politike në njërën anë, por edhe si aktiviste për të drejtat e grave.

“Sidomos angazhimi im kundër dhunës në familje dhe për ndarje të pasurisë bashkëshortore është bërë shkak i sulmeve me gjuhë të urrejtjes e madje edhe kërcënimeve me jetë ndaj meje” – u shpreh Aliu.

Sipas saj, kjo është një shpërfaqje e mentalitetit patriarkal dhe shtypës.

“Gjuha e urrejtjes ndaj grave, por sidomos ndaj grave aktiviste, është mjaft e shprehur në Kosovë në rrjetet sociale. Më së shumti gjuha e urrejtjes shprehet në rastet kur gratë aktiviste flasin apo shkruajnë për të drejtat e grave, apo edhe për të drejtat e komunitetit LGBTI” – thotë ajo.

“Kjo është një shpërfaqje e mentalitetit patriarkal dhe shtypës, që funksionon si “gate keeper”, që nuk dëshiron që të ndryshojë shoqëria dhe reziston ndaj kërkesave të grave për shkak se i konvenon që sistemi të funksionojë asisoj që të ruhen privilegjet që kanë burrat në shoqëritë patriarkale” – shton Aliu.

Ajo rrëfen se në vitin 2020 ka paraqitur një rast në polici, për gjuhë të urrejtjes, ku personat që kanë përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj saj kanë qenë vetë zyrtarë policor.

“Po, në vitin 2020 e kam paraqitur një rast në polici, për gjuhë të urrejtjes, ku personat që kanë përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj meje kanë qenë vetë zyrtarë policor, të cilët në rrjete sociale ishin paraqitur me uniformë dhe ishin shprehur në mënyrë shumë banale e madje edhe më kishin kërcënuar”- theksoi ajo.

Sipas saj, rastet e paraqitura nga gratë nuk merren seriozisht as atëherë kur bëhet fjalë ‘për dhunë në familje, përdhunime seksuale, etj., e lëre më për gjuhë të urrejtjes’.

“Unë nuk e kam paraqitur rastin si gjuhë të urrejtjes, por direkt ndaj policëve kam ngritur ankesë për masa disiplinore. Rastet e paraqitura nga gratë nuk merren seriozisht as atëherë kur bëhet fjalë për dhunë në familje, përdhunime seksuale, etj., e lëre më për gjuhë të urrejtjes. Mendoj se madje bëjnë shaka me këto raste” – u shpreh ajo për KALLXO.com.

‘Streha’ e shfaqjes së gjuhës së urrejtjes

Rrjetet sociale po dalin të jenë hapësira më e lehtë për të shprehur gjuhën e urrejtjes thotë profesoresha në degën e gazetarisë, Blerta Blakaj.

Sipas saj, njerëzit që po shprehin gjuhë të urrejtjes përmes rrjeteve sociale shpeshherë edhe fshihen pas llogarive të rreme duke mbuluar kësisoj identitetin e tyre.

Ajo shpjegon se në koncept gjuha e urrejtjes është çdo lloj gjuhe ofenduese që brenda vetës mban ofendime, diskriminime qoftë në aspektin fetar, religjioz, etnik, gjinor dhe në çfarëdo aspekti tjetër.

“Pra çfarëdo gjuhe e cila e bën tjetrin të ofenduar ose të diskriminuar” – thotë ajo.

Blakaj thotë se qytetarët janë të vetëdijshëm që po përdorin gjuhë të urrejtjes, por thotë se nuk janë në dijeni mjaftueshëm sa i përket aspektit ligjor që i dënon këto.

“Unë konsideroj që qytetarët janë të vetëdijshëm që po përdorin gjuhë të urrejtjes dhe janë të vetëdijshëm që janë duke e bërë tjetrin të ndjehet jo komod me përdorimin e gjuhës, megjithatë konsideroj se nuk janë të vetëdijshëm sa i përket aspektit ligjor, që komentet janë fjalë publike dhe është e dënueshme, dhe se një koment është e barabartë me një fjalë publike nëse ofendohet, shahet, dhe ka dënim edhe deri me burg për përdorim të gjuhës së urrejtjes, mendoj që ky aspekt mungon sa i përket vetëdijesimit shoqëror” – thotë ajo.

Ajo konsideron se duhet bërë më shumë aktivitete vetëdijesuese për të parandaluar gjuhën e urrejtjes por edhe të vetëdijesohen qytetarët për dënimet që mund t’i kushtojnë.

Sipas sociologut Genc Xërxa, gjuha e urrejtjes mund të ndikoj mjaft shumë tek gratë apo tek ato që atakohen.

Sociologu Xërxa thotë se kjo mund të krijojë stres psikologjik, ndjenjë të keqe e në disa raste mund të vjen në pikëpyetje edhe siguria e saj nëse linçimet apo etiketimet kalojnë volumin e arsyeshmërisë.

“Gjuha e urrejtjes është mjaft e shprehur sidomos në rrjetet sociale në vendin tonë. Asnjë kategori sociale nuk është e amnistuar, është për studim ky fenomen. Në masë të konsiderueshme me raste është mjaft e shprehur gjithsesi edhe ndaj grave”- thotë sociologu për KALLXO.com.

Sipas tij, ka etiketime, linçime në mënyrën e shprehjes dhe komunikimit me tjerët.

“Ne kemi problem me komunikim në mënyrë civilizuese kur kemi të bëjmë me atë virtual ku një pjesë të konsiderueshme të kohës shoqëria e kalon aty”.

“Ka etiketime, linçime në mënyrën e shprehjes dhe komunikimit me tjerët. Në raport me gratë, një pjesë e rinisë apo shoqërisë në mungesë të dijes, respektit dhe argumentit kjo kategori aktive në rrjetet sociale nuk zgjedhin mënyra për të ofenduar dhe për të dalë në qendër të vëmendjes në mënyrën më të ulët civile” – thotë ai.

Xërxa thotë se njerëzit pa ndonjë bazë të argumentit po zgjedhin që mos të respektojnë mendimin e tjerëve, dhe kësisoj thotë se po përdorin mënyrën më të ulët të debatit që shton se është ajo e ofendimeve.

Krahas kësaj, sociologu përmend rastin e aktivistes Zana Avdiu, ndaj së cilës kishe pasur reagime të shumta pas një komenti që kishte bërë lidhur me një futbollist.

“Kishim raste të tilla mjaft të shprehura tek aktivistet apo analistet e ndryshme, siç ishte rasti aktivistes, Zanës me gjestin e pahijshëm të Granit Xhakes, e cila aq shumë u sulmua që tejkaloi përmasat e arsyeshmërisë në komunikim dhe në disa raste u ndje edhe e kërcënuar nga komunikimi primitiv i i abuzuesve të rrjeteve sociale ku haptas dolën në pah gjuha denigruese ndaj saj apo e shumë rasteve tjera” – shprehet ai.

Sipas sociologut, komunikimi i mirëfilltë shkon krahas zhvillimit apo nivelit të edukimit dhe arsimit të shoqërisë ashtu që kjo pasqyron gjendjen “e mjerë” në një masë në shoqëri, pasi sipas tij, nuk po ka përmirësime në këtë drejtim po vetëm degradime gjithnjë, në këtë aspekt.

“Disa nga aplikacionet e rrjeteve sociale kanë krijuar levën e raportimit të ofendimeve që po mund të merren masa duke u përjashtuar nga rrjetet dhe qasja e tyre e sërishme kur po tejkalohen normat e bisedës qytetëruese, duke iu lënë sa më pak hapësirë abuzuesve të tillë që të përdorin rrjetet virtuale komunikuese!” – deklaroi sociologu Genc Xërxa për KALLXO.com.

Si dënohet gjuha e urrejtjes?

Rastet e gjuhës së urrejtjes ndaj grave aktiviste disa herë janë raportuar edhe në Policinë e Kosovës.

KALLXO.com ka siguruar të dhëna nga  Policia e Kosovës që tregojnë se përgjatë vitit 2022 janë raportuar gjithsej 21 raste të nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes së durimit.

Këto raste trajtohen në bazë të nenit 141 “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Dënimi i këtyre rasteve me burg nis nga një vit deri në dhjetë vjet.

Sipas pikës 1 të këtij neni kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Në anën tjetër, juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, thotë se gjuha e urrejtjes që përdoret kundër grave, kryesisht në formë fushate, është e dënueshme me Kodin Penal përmes disa neneve.

Ndonëse dënueshmëria përmes ligjit ekziston, Kusari thotë se ka pasivitet në trajtimin e rasteve të tilla.

Ajo thotë se gratë që janë prezente në jetën dhe domenin publik, sidomos kur i shprehin qëndrimet e tyre përmes mediave online dhe mediave sociale, shpesh trajtohen në mënyrë brutale.

Kusari thotë se këto gra janë target më i lehtë sidomos për komentuesit të cilët nxisin urrejtje ndaj tyre, i nënçmojnë, nganjëherë bëjnë thirrje për dhunë dhe i denigrojnë në forma të ndryshme.

“Kjo qasje është e rrezikshme për lirinë e shprehjes sepse i dekurajon gratë nga pjesëmarrja publike” – thotë Kusari.

“Problemi qëndron tek pasiviteti i Policisë dhe Prokurorisë në trajtimin e rasteve” – shprehet Kusari, duke shtuar se për aq kohë sa këto institucione nuk do të ndjekin penalisht individët që i ngacmojnë gratë online, që i intimidojnë dhe që shprehin gjuhë denigruese dhe të urrejtjes ndaj tyre, sipas saj ka pak shpresë që komunikimi publik online në raport më gratë do të përmirësohet.

Kusari tregon se Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, Komisioni i Pavarur për Media, Policia, Prokuroria dhe Gjykatat janë institucionet përkatëse për të bërë ankesa dhe se është më rëndësi që këto mekanizma të shfrytëzohen.

KALLXO.com ka nisur pyetje edhe në Këshillin e  Mediave të Shkruara të Kosovës për të parë nëse kanë pasur ndonjë ankesë nga ndonjë grua aktiviste, e cila është përballur në media me gjuhë të urrejtjes.

Të dhënat e këtij Këshilli tregojnë se ka pranuar ankesa me pretendime që ka pasur nxitje të gjuhës së urrejtjes, por që asnjë rast, sipas tyre, nuk ka të bëjë me nxitje të gjuhës së urrejtjes në bazë gjinore.

Një vijë shumë e hollë thotë Blerta Iberdemaj, nga zyra ligjore e BIRN Kosova, qëndron mes të mbrojtjes së të dhënave personale, respektimit të lirisë së shprehjes dhe tejkalimit të kufirit të lirisë së shprehjes që cenon lirinë e tjetrit e që si pasojë, sipas saj,  mund të kalon në nxitje të urrejtjes.

Liria e shprehjes është e drejtë universale e cilat garantohet me Kushtetutën e Kosovës dhe me aktet juridike ndërkombëtare si: Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Pakti Ndërkombëtar për të Drejta Civile dhe Politike, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Karta Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Deklarata Amerikane për të Drejtat dhe Detyrimet e Njeriut.

Sipas Ibërdemajt, shtetet janë të detyruara që në aktet juridike të vendeve të tyre t’i inkorporojnë parimet e lirisë së shprehjes.

“Liria e shprehjes dhe gjuha urrejtjes janë në linja paralele, shumë të ngushta, kufiri deri ku shtrihet njëra e fillon tjetra është shumë i hollë. Një dukuri negative të cilën e kemi konstatuar jo në pak raste kohëve të fundit në Kosovë është çështja e kalimit të kufirit të lirisë së shprehjes në rrjetet sociale, që ka eskaluar në gjuhë të urrejtjes” – thotë ajo.

Ajo shton se mediat sociale e portalet e lajmeve janë bërë streha ideale e ushtrimit të veprimtarisë së shpërndarjes së lajmeve të rreme apo ‘fake news’-it si dhe gjuhës së urrejtjes.

“Në rastet e fundit të skandaleve në Kosovë është shfaqur në publik veprimtaria e bërjes së “gjyqit moral”, për dukuri a ngjarje negative në Kosovë” – shton Iberdemaj.

Sipas saj, institucioni i vetëm i bërjes së drejtësisë janë institucionet kosovare të drejtësisë dhe jo duke u thirrur në liri të shprehjes t’iu bëhet dikujt “gjyqi publik”.

“Konsideroj që përtej veprave penale mizore të cilat mund të ndodhin në vend, institucioni i vetëm i bërjes së drejtësisë janë Gjykatat, pra institucionet tona të drejtësisë, prandaj çdo individ apo portal lajmesh që thirret në lirinë e shprehjes për të shpërndarë e nxitur gjuhë të urrejtës përmes kryqëzimit e bërjes së “gjyqit publik”, nuk duhet të kaloj pa u ndëshkuar” – shprehet ajo.

Ibërdemaj thotë se rastet më të shpeshta të dënimeve të shqiptuara nga Gjykatat tona kanë qenë ndaj personave të cilët kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes e nxitur urrejtje kryesisht për deklaratat e tyre të bëra në rrjetet sociale për çështje kombëtare.

“Në Kosovë çështja e dënimit të përdorimit të gjuhës së urrejtës sidomos në rrjetet sociale është dukuri relativisht e re. Rastet më të shpeshta të dënimeve të shqiptuara nga Gjykatat tona kanë qenë ndaj personave të cilët kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes e nxitur urrejtje kryesisht për deklaratat e tyre të bëra në rrjetet sociale për çështje kombëtare. Rasti më me bujë ka qenë ai i dënimit të ish-ministrit serb Ivan Todosijeviq” – thotë ajo.

Në anën tjetër, Institucioni i Avokatit të Popullit ka deklaruar se nuk ka pranuar ndonjë ankesë që ka të bëjë me gjuhë të urrejtjes, e në këtë rast as kundër grave aktiviste në Kosovë.

Sipas këtij institucioni, gjuha e urrejtjes çon në krim të urrejtjes dhe se kjo gjë duhet të luftohet e parandalohet.

“Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) nuk ka pranuar ndonjë ankesë që ka të bëjë me gjuhë të urrejtjes, e në këtë rast as kundër grave aktiviste në Kosovë”.

“Gjuha e urrejtjes çon në krim të urrejtjes. Kjo gjë duhet të luftohet e parandalohet, duke mbrojtur ata individë apo grupe që sulmohen, duke edukuar fëmijët që në moshë të hershme, duke organizuar fushata kundër gjuhës së urrejtjes dhe pasojat e saj, etj”, thuhet në përgjigjet e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Tutje Avokati i Popullit thekson se kufizimet e lirisë së shprehjes sipas legjislacionit të Kosovës konsistojnë me qëllim të shmangies së gjuhës së urrejtjes, nxitjes së dhunës, gjuhës diskriminuese, fyerjes dhe shpifjes.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.