Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Lufta e zbehtë ndaj gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale
Në tingujt e muzikës e me pranin e ngjyrave të ylberit, 9 qershori i këtij viti kishte mbledhur me qindra persona në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të shënuar “Javën e Krenarisë”.
‘Parada e Krenarisë’ që kishte paraparë marshimin e pjesëmarrësve nëpër disa rrugë të kryeqytetit, ishte përcjell me masa të shtuara të sigurisë. Në rrugët e Prishtinës kishte të pranishëm edhe forca speciale të Policisë së Kosovës.
Dita e tyre thuhej se po shkonte e qetë, e edhe organet e drejtësisë thonin që gjithçka ishte e sigurt, ani pse paradës iu shtua një zhurmë pak më e rënd se këngët që po jehonin në sheshet e kryeqytetit.
Marshueseve, me të kaluar afër Hotel Granit, nga lart iu ishte gjuajtur një mjet piroteknikë, për të cilën reagimi i organeve të sigurisë kishte qenë i menjëhershëm.
Kjo nuk ishte e vetmja situatë më të cilën u përballën anëtarët e LGBTQI+, ndaj të cilëve kishte shumë fyerje e kërcënimeve në rrjetet sociale, sidomos në faqet që po e transmetonin drejtpërdrejtë këtë marsh.
“Fara të hupët, oj faqja e zezë se na fëlliqtë”; “Turpi i Kosovës, jashtë këto fundërrina.!”; “Eh more zot qon naj stuhi shkatërroj këta qafirë more zot që po të lutna”; “O mjerë prindërit e tyre se cak kanë lindë” – janë vetëm disa nga komentet që pranuan këta anëtarë në ditë kur ata po festonin.
Si i shohin këto komente vet komuniteti?
“Kam bërë paqe me vetën dhe me vendin ku jetoj” – ka qenë përgjigja e Edonit* kur është pyetur për komentet të mbushura me gjuhë të urrejtjes, që ai merr në postimet e tija.
Edoni, anëtar i komunitetit LGBTQI+ jeton në Prishtinë. Ai vazhdimisht detyrohet që të përballet me persona që ‘ia dëshirojnë’ vdekjen përmes komenteve të tipit “kemi me ju vra”, “kemi me ju kall”.
E ndonëse për vete është mësuar me këto komente e mesazhe kërcënuese, Edoni thotë se këto gjëra po i pengojnë familjarëve e shoqërisë së tij.
“Nuk më shkon dita pa e marr një të tillë, por jam mësu me këtë” – shprehet ai për KALLXO.com. “Por, mua personalisht nuk më pengojnë më sepse kam bërë paqe me vetën dhe me vendin ku po jetoj dhe për atë nuk i marr shumë afër zemrës” – thotë Edoni.
Mbajtja private e profileve të tij në rrjete sociale, sipas Edonit ka qenë koha kur ai nuk është atakuar me kësi lloj komentesh, mirëpo me të bërë profilin e tij publik, ai çdo ditë, edhe në postimet që nuk janë për komunitetin të cilit i takon, merr komente që kanë gjuhës të urrejtjes.
Madje, e frikshme për të është edhe kreativiteti që kanë njerëzit në rastet kur i kërcënojnë anëtarët e këtij komuniteti, dhe jo vetëm.
“Njerëzit janë tepër kreativ në momentin kur vjen puna tek tortura ndaj dikujt tjetër, është tepër problematik e madhe me medu qysh një njëri mundet me qenë aq i ashpër e aq i qartë në mënyrën se qysh e kish torturu një person tjetër. Është e frikshme me mendu” – shrehet ai.
Edoni ka thënë se policia duhet të ketë ndonjë strategji ndaj këtyre njerëzve që komentojnë, që sipas tij zakonisht janë nga profile fallco.
“Do të ishte mirë që policia me u marr pak me ta, më shumë veç me i ndërgjegjësu që prit se nuk mundesh me u shpreh bash bash kështu” – thotë Edoni.
Ai është i pajtimit që komente të tilla nuk duhet të tolerohen, por edhe e di që është e vështirë që të cenzurohen, e sidomos në rrjete sociale. Por, e rëndësishme për të është që nxitje dhe gjuhë e urrejtjes ndaj këtij komuniteti të mos përdoret nga ana e zyrtarëve dhe fytyrave publike, e sidomos në televizione.
“Nuk mundesh me e cenzuru aq lehtë çfarë njerëzit komentojnë online. Pra po them, nëse është në televizione mendoj që duhet me u cenzuru. E kur janë komente online, përderisa nuk janë nga një person publik ose zyrtar, njerëzit tjerë munden me shkru çkado në portale, por jo individualisht, ajo nuk duhet absolutisht me u toleru” – tha Edoni.
Rastet në prokurori
Brenda një viti e gjysmë, në Prokuroritë Themelore në Kosovë u paraqitet dy raste kur persona të caktuar kishin kryer vepra penale kundër komunitetit LGBTQI+: njëri rast i vitit 2021 dhe tjetri është paraqitur në pjesën e parë të vitit 2022.
Prokuroria ka njoftuar se për njërin rast është hedhur poshtë kallëzimi penal, kurse ndaj një personi tjetër është ngritur aktakuzë.
Nga Prokuroria e Shtetit ishte thënë se nuk kanë vendime të Gjykatave.
KALLXO.com u interesua edhe në Policinë e Kosovës për të parë se si trajtohen këto raste nga ana e tyre, mirëpo të njëjtët kanë thënë se rastet nuk i specifikojnë në bazë të komuniteteve, por vetëm në bazë të përdorjes së gjuhës së urrejtjes.
Nga Zyra për Media e Drejtorisë së Përgjithshme e Policisë ishte thënë për KALLXO.com se nga fillimi i këtij viti, 1 janar 2022 e deri më tani për gjuhë të urrejtjes së përdorur në rrjete sociale, në Policinë e Kosovës janë iniciuar një rast “Dhunë familje” dhe një rast “Ngacmim”.
Por që nuk është treguar nëse këto raste kanë lidhje me komunitetin LGBTQI+.
Brenda 4 viteve, 2016-2019, Policia ka thënë se janë arrestuar dy persona që kanë përdorur gjuhën e urrejtjes të përdorur në rrejte sociale, ndërsa më vitin 2020 janë dy raste.
“Në vitin 2016 një rast me një të arrestuar, në vitin 2019 një rast me një të arrestuar dhe në vitin 2020 dy raste” – ka thënë Policia.
Tutje Policia ka njoftuar se të gjitha rastet janë proceduar në prokurorinë e shtetit.
“Blloko Urrejtjen, Fal Dashni”
Angazhimi i Qeverisë së Kosovës në parandalimin e rasteve të tilla po bëhet përmes fushatave vetëdijesuese.
Një fushatë e tillë ishte lanësuar në tetor të 2021-ës në Prishtinë nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, e cila kishte bashkëpunuar me Këshillin e Evropës, Zyra në Prishtinë dhe Bashkimin Evropian.
Fushata quhej “Blloko Urrejtjen, Fal Dashni”, dhe diçka e njëjtë pritet që të ketë prapë gjatë viteve 2023-2024.
“Zyra e Kryeministrit-Zyra për Qeverisje të Mirë, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës planifikojnë që gjatë vitit 2023-2024 të realizojnë aktivitete ndërgjegjësuese që ndërlidhen me parandalimin e gjuhës së urrejtjes” – është thënë në një përgjigje për KALLXO.com nga Zyra për Komunikim e ZKM-së.
Nga fushata “Blloko Urrejtjen, Fal Dashni” synohej që të informohej dhe edukohej shoqëria dhe veçanërisht të rinjtë për rolin që ka secili në luftën kundër formave të ndryshme të gjuhës së urrejtjes që synon grupe dhe individë të veçantë në komunitetet tona lokale.
Fushata ishte bërë publike në internet përmes kanaleve të dedikuara për mediat sociale, por edhe në paraqitjet në radio, TV, aktivitete publike dhe iniciativa sociale që përfshijnë figura të shquara publike, institucione dhe aktivistë me tregime personale, dëshmi dhe shkëmbim të praktikave të mira që lidhen me promovimin e diversitetit dhe barazisë në rajon.
Ai tutje tha se mesazhi i tij është që njerëzit t’i mbajnë mendimet për vete sepse nuk i duhen askujt.
“Nuk është nevoja askush me mendu njejtë, gjithsecili le të mendojë çka të do, por parpë se prapë nuk kemi nevojë me i fut hundët në punën personale të dikujt, dhe e dyta aq më pak me përdorë gjuhë të urrejtjes sepse është jo ligjore” – shprehet Edoni.
*Edoni nuk është emri I vërtetë i personazhit të intervistuar. Personi I intervistuar, emër I njohur për redaksinë, ka kërkuar që të jetë anonim.