Foto: RFE/REL

Të djathtët në Serbi mblidhen në “mbështetje të serbëve në Kosovë”

Partitë e djathta opozitare në Serbi u mblodhën mbrëmjen e 28 qershorit në Beograd, në shenjë mbështetjeje për serbët nga Kosova.

Tubimin e organizoi “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës”, me mbështetjen e partive të djathta, përfshirë edhe partitë opozitare parlamentare: Dveri dhe Zavetnici.

Në tubimin që vazhdon, dëgjohen këngë nacionaliste për Kosovën dhe është shpalosur pankarta: “Stop terrorit ndaj serbëve në Kosovë”.

Të tubuarit valëvisin flamuj të Serbisë dhe slogane “s’ka dorëzim”, në të cilat figuron edhe harta e Kosovës.

Ata kërkojnë mbështetjen e Rusisë për politikën e Serbisë ndaj Kosovës.

Në mesin e kërkesave të tyre dëgjohet lirimi i serbëve të arrestuar në veri të Kosovës, të cilët Policia e Kosovës i ka identifikuar si organizatorë të incidenteve në atë zonë, gjatë muajit të kaluar.

Gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve, kritika ndaj Vuçiqit

Folësit në protestë u drejtuan me fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Ata kritikuan edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Qeveria në Serbi u quajt “tradhtare”, ndërsa Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u kritikua ashpër.

Me këtë marrëveshje, thanë protestuesit, “Qeveria e Serbisë ka dorëzuar krahinën jugore“.

Kjo protestë vjen në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – dhe të presionit diplomatik mbi Prishtinën dhe Beogradin për ta qetësuar situatën.

Ajo është përkeqësuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Komuniteti serb në veri i ka bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë kryetarët shqiptarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Protestat që vazhdojnë, kanë kulmuar edhe në dhunë midis demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

Ka pasur, po ashtu, raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera.

Policia e Kosovës ka arrestuar disa serbë nën dyshimet se kanë organizuar dhunë.

Komuniteti ndërkombëtar kërkon nga Kosova që ta shtensionojë situatën – mes tjerash, duke organizuar zgjedhje të reja në veri. Nga Serbia, ndërkaq, kërkon të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet eventuale./REL