Ilustrim: KALLXO.com

Komentet në rrjete sociale, burim i urrejtjes ndaj grave

Një video e publikuar ditë më parë në KALLXO.com, ku një prind sulmonte fizikisht vajzën e tij në një rrugë në Prizren, zgjoi shumë reagime.

Mekanzmi shtetëror arrestoi të dyshuarin për sulm ndërsa për rastin reaguan organizatat që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e grave.

Derisa institucionet e drejtësisë tani po e kryejnë punën e tyre, në rrjete sociale shpërthyen komentet me gjuhë të urrejtjes dhe fryrjes. Shumica nga komentuesit gjenin fajtorin, anise nuk e dinin ngjarjen. Kishte komentues që fajësonin vajzën dhe mbronin prindin që po rrihet atë në mes të një rruge.

Në Kosovë, nocioni i shpifjes dhe fyerjes rregullohet me Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes. Por, për këtë, sipas ligjëruesit të mediave në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, shumë lexues dhe komentues të rrjeteve sociale, nuk janë në dijeni.

“Një pjesë e madhe e publikut në Kosovë nuk e ka të qartë, nuk ka njohuri që komentimi në përmbajtjet mediale është fjalë publike e cila si e drejtë vjen bashkë me përgjegjësinë për të. Mund të përballet me pasoja ligjore e deri te burgu nëse nxit urrejtje racore, fetare e kombëtare”, thotë Zeneli.

Në fillim të vitit 2020, dy persona përfunduan prapa grilave për shkak të komenteve të bëra në rrjete sociale.

Për shkak të gjuhës së përdorur, redaksia e KALLXO.com vendosi t’i fshijë komentet. Për vetëm disa orë, në videon e publikuar erdhën mbi 1,200 komente, shumë prej tyre me gjuhë fyese ndaj vajzës nga Prizreni ku shihej duke u rrahur në rrugë nga prindi i saj.

Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, kjo gjë nuk ndodh vetëm tek rasti në Prizren, por tek secili raportim i mediave për gratë.

“Kultura e fajësimit të viktimës e cila mund të vërehet jo vetëm tek komentet në rastin e Prizrenit por  pothuajse të gjitha raportimet mediatike mbi dhunën ndaj grave dhe vajzave në Kosovë, për ne është shumë shqetësuese”, thotë Adelina Tërshani, zyrtare e Programit për Fuqizim Ekonomik të Grave në organizatën Rrjeti i Grave të Kosovës.

Komente të tilla, sipas saj, ndikojnë negativisht në trajtimin e rasteve të tilla të dhunës.

“Nëpërmjet të gjitha hulumtimeve dhe reagimeve tona si Rrjet i Grave të Kosovës, ne e faktorizojmë këtë dukuri si një nga shkaktarët e trajtimit joserioz të rasteve, raportimit me të ulët të tyre si dhe promovimit dhe arsyetimit të dhunës ndaj grave”, thotë ajo.

Aktivistja, Liridona Sijarina thotë se shumë komentues fajtore i bëjnë gratë, përkundër që nuk kanë asnjë informacion për një ndodhi të caktuar.

“Gratë vazhdojnë të shihen si fajtore për çdo situatë apo dhunë të cilën mund ta përjetojnë, kjo pasiqë ato ende shihen me më pak vlerë se sa burrat”, thotë aktivistja për të drejtat e grave.

Ajo thotë se edhe disa mediat janë duke kontribuar për keq, duke mos i specifikuar me raste konkrete.

“Kjo mendësi është duke u ushqyer edhe nga mediat të cilat janë duke i shërbyer praktikave seksiste dhe mizogjeniste të paraqitjes së grave dhe ngjarjeve me ndjeshmëri gjinore”, deklaron Sijarina.

Si të menaxhohen komentet në rrjete sociale nga mediat?

Vite më parë, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, një trup vetërregullues i formuar për dhe nga mediat e shkruara, kishte vendosur një praktik duke i udhëzuar mediat që t’i ndalojnë komentet brenda artikujve. Shumë prej mediave tashmë e kanë ndal mundësin që qytetarët të komentojnë në artikujt e publikuara në sajte. Por, kjo nuk mund të thuhet edhe për rrjete sociale, pasi në cdo artikull të postuar pranohet me qindra e mijëra komente.

Sipas profesorit të gazetarisë, Alban Zeneli, mediat duhet të kujdesen edhe për komentet që bëhen në rrjete sociale.

“Kufizimi, fshirja, apo monitorimi kërkon kapacitete shtesë njerëzore në kuadër të redaksive, dhe kjo gjë, normalisht paraqet një ngarkesë për median”, thotë ai. “Megjithatë, përmbajtja që shpërndahet nga meidat të publiku shfaqet si e unifikuar, prandaj është me rëndësi që të paktën përmbajtjet me gjuhë urrejtjes të raportohen në platformat e mediave sociale dhe të fshihen nga ana e mediumeve”.

Sipas profesorit universitar, duhet të shfrytëzohen edhe mundësitë teknike që ofrojnë rrjetet sociale, për t’i bllokuar komentet në forma automatike, duke i koduar me fjalët e caktuara.

“Këtu duhet shtuar që bashkëpunimi i mediave të Kosovës me platformave e mediave sociale është i domosdoshëm, për të shtuar edhe elemente të reja të kontrollit automatik të komenteve me bazë, fyerjen, gjuhën e urrejtjes, etj., edhe për gjuhën shqipe”, thotë ai.

Por, edhe menaxhimi i komenteve përmes inteligjencës financiare ka vështirësinë e vet, pasi një gjë e tillë funksionon duke i bllokuar disa fjalë të caktuara, kryesisht fyese. Por, në shumë komente nëpër rrjetet sociale ju mund të hasni komente kur vet qytetari përdorë shenja të pikësimit apo pika e hapësira të tepërta për të shmangur bllokimin e komentit nga inteligjenca financiare.

Aktivistja Liridona Sijarina thotë se institucionet përgjegjëse, siç janë policia e prokuroria, duhet të jenë më aktive në reagim ndaj komentuesve që shfaqin urrejtje dhe fyerje ndaj grave.

“Çka duhet bërë është që policia dhe prokuroria të jenë më aktive në sferën virtuale dhe t’i përgjigjen në mënyrë të drejtë dhunës verbale e cila është duke u ushtruar në rrjete sociale, sidomos ndaj grave dhe grupeve tjera të ndjeshme shoqërore”, deklaron ajo.

Shumë prej komenteve nëpër rrjete sociale janë fyese apo që nuk kanë të bëjnë me tematikën për të cilën raportohen. Disa prej mediave përdorin tituj gjysmë të vërtetë apo që në mungesë të kontekstit mund të keq-kuptohen pasi kjo nxitë më shumë komente. Sa më shumë komente të lexueseve në një postim në rrjetet sociale aq më shumë ai postim shpërndahet dhe ka potencial më të madh që të lexohet.

Çka nënkupton liria e shprehjes në rrjete sociale?

www.kallxco.com