Foto: Denis Sllovinja /Termocentral , Obiliq , Kek

Në dy raste, KEK nënshkroi kontratat, pasi kompanitë kishin kryer punët

Sipas ligjit të Prokurimit në Kosovë, institucionet publike për kryerjen e punëve apo marrjen e shërbimeve, duhet të zhvillojnë aktivitet të prokurimit.

Në aktivitete të prokurimit aplikojnë kompanitë të cilat ofrojnë shërbime apo punë që ka kërkuar institucioni. Kontratat me kompanitë fituese nënshkruhen para nisjes së punëve, kështu thuhet në ligj.

Por, zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kishte nënshkruar kontrata me kompani pas kryerjes së punëve apo marrjes së shërbimeve, gjatë vitit 2022.

ZKA ka evidentuar dy raste të tilla të bëra nga KEK.

Në njërin rast KEK kishte lidhur kontratë në vlerë 63 mijë euro me një kompani 6 muaj pas kryerjes së punëve.

Fillimisht KEK kishte lidhur kontratë në vlerë rreth 250 mijë euro me titull “Angazhimi i ekspertëve për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ulët në njësinë B2-TCB”.

Gjatë zbatimit të kësaj kontrate ekspertët e angazhuar kishin vlerësuar se duhet të kryhen punë shtesë dhe në dakordim me kompaninë këto punë ishin kryer gjatë muajit janar 2022.

Për këto punë shtesë kompania më 22 maj 2022 kishte pranuar faturën në vlerë 63 mijë euro ndërsa kontrata ishte nënshkruar më 30 qershor 2022, rreth 6 muaj pas përfundimit të punëve.

Kjo kontratë ishte emëruar si “Riparimi i lopatave të dëmtuara dhe matjet e vibrimeve dhe balancim në turbinën e shtypjes së ulët në njësinë B2”.

Në një rast tjetër KEK kishte nënshkruar marrëveshje për marrjen e shërbimit të sigurimit fizik të objekteve 43 ditë pas marrjes së shërbimeve.

Marrëveshja ishte nënshkruar më 15 shtator 2022 për marrjen e shërbimeve për periudhën gusht-shtator.

“Vlen të theksohet se kompania për këtë shërbim kishte zhvilluar paraprakisht procedura të prokurimit të cilat kishin përfunduar me proces ankimor në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Kjo kishte ndodhur për shkak se punët/pozicionet e pa parashikuara gjatë ekzekutimit të kontratës që janë vlerësuar të domosdoshme, e tejkalonin 10% të kontratës bazë si dhe për shkak të vonesave në zgjidhjen e proceseve ankimore të OSHP-së”- theksohet në raportin e ZKA-së.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka theksuar se kryerja e punëve dhe shërbimeve pa kontratë dhe pastaj kontraktimi përveç së është në kundërshtim me ligjin e prokurimit mund të ndikoj në çmime më të pafavorshme nëse do të përdorej procedura e hapur konkurruese.

Në raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Korporatën Energjetike të Kosovës janë dhënë 15 rekomandime të reja.

Në vitin paraprak, ZKA kishte dhënë 21 rekomandime nga të cilat këtë vit 16 janë zbatuar pjesërisht.

Për vitin 2022, ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për KEK.

Korporata Energjetike e Kosovës është pajtuar me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e ZKA-së.