Ndryshimet në Polici, shefi i antidrogës në veri dërgohet në vijë të gjelbër

Pas Drejtorit të Antidrogës në Policinë e Kosovës, Bahri Shala ndryshime ka pasur edhe brenda në njësinë e antidrogës në veri të Kosovës.

Ilir Xhemajli ish-shefi i antidrogës në veri të Kosovës, është liruar nga kjo pozitë ndërsa siç mëson KALLXO.com, i njëjti është transferuar në vijën e gjelbër në Isvorin, pikë kufitare që lidh Zubin Potokun me Novi Pazar.

KALLXO.com ka tentuar të marr një koment nga vet Xhemajli në lidhje me transferimin e tij por i njëjti nuk ka pranuar.

“Ju lutem kontaktoni me zyrën për informim për çdo gjë”, ka thënë Xhemajli në një bisedë telefonike me KALLXO.com.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Policisë së Kosovës në lidhje me ndryshimet e fundit.

“Sistemimi dhe caktimi i personelit të zyrtarëve të policisë bëhet në mbështetje të strukturës organizative të PK-së, nevojës operacionale dhe mbështetur në akte të brendshme”, thuhet në një përgjigje të PK-së, drejtuar KALLXO.com.

KALLXO.com pati raportuar në lidhje me emërimin e Ilir Xhemajlit në krye të njësisë së Antidrogës në veri të vendit në shkurt të vitit të kaluar.

Familjari i koloneles Florie Hajra merr pozitë në Antidrogë

Tutje KALLXO.com pati raportuar edhe se vitin e kaluar në dhjetor më saktësisht, Ilir Xhemajli për disa ditë e mbajti veturën zyrtare në oborrin e shtëpisë.

Xhemajli veturën zyrtare të njësisë, po e mbante në oborr edhe gjatë kohës sa ishte në pushim vjetor.

Shefi i antidrogës në veri edhe gjatë pushimit vjetor mban veturën zyrtare në shtëpi- FOTO

Vetura e njësisë së antidrogës në veri po qëndronte në shtëpi të Xhemajlit që nga data 18 dhjetor, ndërsa nga data 21 dhjetor të vitit të kaluar, edhe pasi  i njëjti kishte hyrë në pushim vjetor, ndërsa nuk e kishte dorëzuar veturën në punë, në mënyrë që të shfrytëzohet për punët dhe hetimet e njësitit të antidrogës.

Ditë më parë, KALLXO.com raportoi edhe për lirimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë së Antidrogës në Policinë e Kosovës.

Ai është dërguar në Drejtorinë Teknike të Kriminalistikës.

Shala nuk ka pranuar të jap detaje në lidhje me ndryshimin e pozitës së tij ndërsa shkurt ishte përgjigjur që nuk ka pasur ndryshim në gradë të tij.