Fotografia: KALLXO.com

Shefi i antidrogës në veri edhe gjatë pushimit vjetor mban veturën zyrtare në shtëpi- FOTO

Shefi i Njësisë së Antidrogës në veri të Kosovës, Ilir Xhemajli për disa ditë e mbajti veturën zyrtare në oborrin e shtëpisë.

Madje KALLXO.com mëson se Xhemajli veturën zyrtare të njësisë, po e mbante në oborr edhe gjatë kohës sa ishte në pushim vjetor.

Vetura e njësisë së antidrogës në veri po qëndronte në shtëpi të Xhemajlit që nga data 18 dhjetor, ndërsa nga data 21 dhjetor i këtij muaji i njëjti kishte hyrë në pushim vjetor, ndërsa nuk e kishte dorëzuar veturën në punë, në mënyrë që të shfrytëzohet për punët dhe hetimet e njësitit të antidrogës.

Pasi që nga data 21 Xhemajli ka qenë në pushim, KALLXO.com ka siguruar edhe disa fotografi të cilat janë të datës 25 dhjetor e që tregojnë se përveç veturës personale në oborrin e shtëpisë së Xhemajlit, gjendet edhe vetura zyrtare e tipit Opel.

KALLXO.com po të njëjtën ditë kur ka pranuar fotografitë, ka kërkuar sqarime në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, se pse i është lejuar të Xhemajli ta mbaj veturën zyrtare edhe në pushim vjetor.

Policia e Kosovës deri në publikim të këtij shkrimi nuk ka sqaruar zyrtarisht se cilat kanë qenë arsyetimet e Xhemajlit për veturën.

Ilir Xhemajli në krye të njësisë së Antidrogës në veri të Mitrovicës është vënë në janar të këtij viti.

Ardhja e Xhemajlit në krye të antidrogës në veri erdhi pasi ndryshimeve që ndodhën në pozitat udhëheqëse në Policinë e Kosovës pas ardhjes së Rashit Qalajt, ish- drejtorit të Përgjithshëm të PK-së.

Ilir Xhemajli që është edhe i afërm i eprores Florie Hajra.

KALLXO.com kishte raportuar për ndryshimet që ndodhën në udhëheqjen e departamenteve dhe stacioneve në Policinë e Kosovës.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një sqarim edhe nga vet Xhemajli por i njëjti nuk i është përgjigjur telefonatave dhe mesazheve.