Familjari i koloneles Florie Hajra merr pozitë në Antidrogë
Disa muaj pasi Florie Hajra është emëruar në krye të drejtorisë kundër krimit të organizuar në Policinë e Kosovës, familjari i saj ka marrë pozitë në njësinë e Antidrogës.
KALLXO.com mëson se ndryshimet kanë prekur njësinë e Antidrogës në Veri ku udhëheqësi Mersid Kasumoviq është zëvendësuar nga Ilir Xhemajli që është i afërm i eprores Hajra.
Njësia e Antidrogës është nën menaxhimin e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar e cila është emëruar në këtë pozitë para disa muajsh.
Deri para se të emërohej shef në antidrogë Xhemajli kishte punuar si përgjegjës i sigurimit në kampin Belvedere, një pozitë larg nga njësitë e hetimeve.
Në një komunikim për KALLXO.com, Hajra ka pranuar se e ka familjar Xhemajlin por ka mohuar të ketë ndikuar.
“Lidhja ime familjare është, Haliti është dhëndër i familjes, unë motër nuk kam e ai është burri i hallës ndërsa, Iliri është kushëri i imi nga ana e nënës. Kaq është”, tha Hajra për KALLXO.com.
Lidhjet i ka pranuar edhe Xhemajli por sipas tij këto nuk kanë ndikuar.
“Pozita ime është udhëheqës i ekipit në Njësinë e Anti-Drogë. Qe dy muaj e kam këtë pozitë. Nënën e saj (Florie Hajrës), baba jem i ndjerë e ka kushërirë”, tha Xhemajli për KALLXO.com.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Policia është arsyetuar se në bazë të nevojave për përmbushjen e strukturës organizative dhe nevojave operacionale bëhen rekrutime, caktime, gradime dhe transferime të zyrtarëve policorë.
“Transferime sipas nevojës janë bërë edhe nëpër të gjitha Drejtoritë Rajonale përfshire edhe Njësitet e Antidrogës si ne nivel qendror po ashtu edhe në atë rajonal, dhe ne asnjë rast të vetëm transferimet nuk janë bërë me ndikime apo preferenca të askujt përfshirë supozimet e ngritura se Kolonel F.H. , ka ndikuar ne transferimet zyrtarëve H.Z, dhe I.Xh”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për KALLXO.com.
Tutje KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe për degradimin e Mersid Kasumoviq, i njëjti ishte Shef i Antidrogës më herët ndërsa këtë pozitë tani e ka marrë Xhemajli.
Policia e Kosovës ka thënë se Kasumoviq vazhdon të punojë si mbikëqyrës në ekipin e Njësitit të Hetimit të Trafikimit të Narkotikëve.
Policia tutje ka thënë se ka qenë e nevojshme që në Njësinë e Antidrogës në veri të Mitrovicës të dërgohet edhe një mbikëqyrës tjetër. Përderisa zyrtari M.K edhe më tej vazhdon të punojë si mbikëqyrës ekipi në NJHTN-Mitrovicë Veri.
“Për shkak të sfidave që ka pasë dhe ka Njësia e Antidrogës Mitrovicë Veri ka pasur nevojë që të dërgohet edhe një mbikëqyrës me qëllim të krijimit të ekipit multi etnik. Drejtori i DHTN-së në vazhdimësi ka pranuar ankesa për vështirësitë në ë Veri të cilat kohë pas kohe janë shfaqur dhe i njëjti duke u konsultuar edhe me stafin komandues ne Mitrovicë Veri, ka parapare ndryshimet, lëvizje këto të realizuara në DHTN, konform Udhëzimit Administrativ nr. 02/2018 mbi marrëdhënien e punës ne Policinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës drejtuar KALLXO.com.
Ndryshimet kanë prekur edhe një familjarë tjetër të koloneles Hajra.
Ish- shefi i ndërrimit në Stacionin Policor në Veri të Mitrovicës, Halit Zatriqi që nga 30 dhjetori i vitit të kaluar ka marrë pozitë të Shefit të Forenzikës Rajonale në Mitrovicë
Vet Hajra e ka pranuar për KALLXO.com se Halit Zatriqin e ka burrë të hallës fakt ky që nuk është mohuar edhe nga Zatriqi.
“Unë jam Shef i Forenzikës Rajonale. Unë kam që 14 vite kam pasur këtë pozitë por kam pasë ndërprerje për 14 vite kam pasur ndërprerje 1 vit e katër muaj dhe prej 30 dhjetor të vitit të kaluar jam rikthyer prapë”, tha Zatriqi për KALLXO.com.
Ai tha edhe se askush nuk ka ndikuar në ngritjen në pozitë.
“Kurrkush nuk ka ndikuar në këtë çështje, absolutisht. Unë as që kam qenë i interesuar të kthehem në këtë pozitë”, tha Zatriqi për KALLXO.com.
KALLXO.com ka raportuar edhe për afera të tjera familjare në Policinë e Kosovës.
Në test u rendit i 735, miku i Sami Lushtakut punësohet në polici
Thellohet skandali në Krimet Ekonomike, arrestohet hetuesi i dytë
Arrestohet një zyrtar i MPB-së dhe një rreshter, të dyshuar për aktivitete kriminale