Ilustrim

Ndryshime në Policinë e Kosovë, ndërrohet sërish drejtori i Rajonit të Prishtinës

Në Policinë e Kosovës, ditëve të fundit ka pasur zhvillime sa i takon ndryshimeve në hierarkinë drejtuese të këtij institucioni.

Gjatë ditës së sotme, Nënkoloneli Basri Shabani i cili shërbente si Drejtor i Policisë në Regjionin e Ferizajt është bartur në Prishtinë.

KALLXO.com mëson se nga sot ai do të ketë pozitën e re, si drejtues i Policisë së regjionit të Prishtinë, pozitë këtë që mbante paraprakisht Fehmi Xhata.

Xhata ishte vendosur në këtë pozitë gjatë vitit të kaluar në vend të ish-drejtorit Fahredin Verbovci.

Pozitën Xhata e kishte marrë pas ndryshimeve që ishin marrë në polici menjëherë pas rastit të dhunimit të një 11-vjeçareje nga disa persona.

Në anën tjetër, në një komunikim me KALLXO.com, shkurt, Fehmi Xhata konfirmoi se tashmë është përzgjedhur për të drejtuar Departamentin e Kufirit, në vend të ish-drejtorit Ragip Bunjaku.

Javën e kaluar, KALLXO.com raportoi se në mesin e ndryshimeve në Policinë e Kosovës ishte edhe shkarkimi nga pozita të ish- drejtorit të Task Forcës kundër korrupsionit, Shemsi Hazirit.

Vetë Haziri në një bisedë me KALLXO.com kishte konfirmuar se vetëm kishte pranuar vendimin dhe kishte kërkuar arsyetim për këtë vendim por që nuk kishte marrë asgjë.

Të njëjtit i janë ofruar disa pozita të tjera në vend të asaj që kishte pasur para shkarkimit.

Shkarkohet Shemsi Haziri, shefi i Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës