Ilustrim

Ish-drejtori i Policisë në Prishtinë emërohet drejtor i Kufirit

Fehmi Xhata nga sot do të ushtrojë detyrën e re të cilën ka marrë me vendim të menaxhmentit të lartë të Policisë së Kosovës, për të drejtuar Departamentin e Kufirit.

Kjo pozitë deri para disa ditësh është udhëhequr nga Ragip Bunjaku.

Siç mëson KALLXO.com, Bunjaku kishte bërë kërkesë para disa ditësh për tu larguar nga kjo pozitë.

KALLXO.com ka biseduar shkurt me Xhatën përmes telefonit, i cili konfirmoi se tashmë do të udhëheq Departamentin e Kufirit.

Tutje, KALLXO.com gjatë ditës raportoi edhe për ndryshime të tjera në Policinë e Kosovës.

Në pozitën e Xhatajt që kishte si drejtor i Policisë në Regjionin e Prishtinës, tashmë është emëruar Basri Shabani.

Nënkoloneli Shabani deri dje ka shërbyer si drejtor i Policisë në rajonin e Ferizajt.

Javën e kaluar, KALLXO.com raportoi se në mesin e ndryshimeve në Policinë e Kosovës ishte edhe shkarkimi nga pozita të ish-drejtorit të Task Forcës kundër Korrupsionit, Shemsi Hazirit.

Vetë Haziri në një bisedë me KALLXO.com kishte konfirmuar se vetëm kishte pranuar vendimin dhe kishte kërkuar arsyetim për këtë vendim por që nuk kishte marrë asgjë.

Të njëjtit i janë ofruar disa pozita të tjera në vend të asaj që kishte pasur para shkarkimit.