Foto: Shemsi Haziri, Facebook

Shkarkohet Shemsi Haziri, shefi i Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës

Shefi i Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, (ish Task Forca), Shemsi Haziri është shkarkuar nga kjo pozitë.

Këtë e ka konfirmuar ai për KALLXO.com.

Haziri tha se vendimi i është komunikuar verbalisht ndërsa arsyet pse është shkarkuar nuk i di ende.

“Ajo çka mundem me të konfirmu aktualisht është se jam shkarkuar, po mu ashtë komuniku verbalisht që nga e premtja nuk do të jem në pozitë. Në polici do të jem por jo në pozitën që kam pasur (shef i njësisë së veçantë të hetimeve, ish-TaskForcës). Arsyet nuk i kanë komunikuar kam kërkuar arsye nuk më kanë dhënë. Kjo është e gjitha çfarë kam”- tha ai për KALLXO.com.

Haziri njoftoi se deri më tani i janë ofruar tri pozita brenda Policisë së Kosovës.

“Nuk mundem me të dhënë përgjigje. Më kanë ofruar 3 pozita por nuk kam vendosur as unë as ata”- tha tutje ai.

Departamenti brenda Policisë së Kosovës që udhëhiqej nga Shemsi Haziri ka hetuar rastin e kryeshefit tashmë të suspenduar të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili u arrestua me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit.

Më 25 prill, Bordi i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka marrë vendim për suspendimin nga puna të kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e Nagip Krasniqit mund ti lexoni duke klikuar në LINK .