Kryeministri Starmer në fjalimin e 4 shkurtit 2026 në Parlamentin britanik. Burimi: Facebooku i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar

Ndëshkohen laburistët e Mbretërisë së Bashkuar në zgjedhjet lokale, rritet Reforma populiste

Partia Laburiste e Keir Starmerit ka pësuar humbje të mëdha në zgjedhjet lokale, duke sinjalizuar peshën e zemërimit të votuesve me kryeministrin britanik dhe duke rritur dyshimet për të ardhmen e tij vetëm dy vjet pas fitores dërrmuese në zgjedhjet parlamentare kombëtare, ka raportuar të premten (08.05.2026) Reuters.

 

Partia Laburiste humbi mbështetjen në zonat që raportuan rezultatet preliminare, duke përfshirë bastionet tradicionale në ish-rajonet industriale të Anglisë qendrore dhe veriore, së bashku me disa pjesë të Londrës.

Fituesja kryesore është partia populiste, Reform UK, e aktivistit të Brexitit, Nigel Farage, që fitoi më shumë se 300 mandate këshilli në Angli, dhe mund të formojë opozitën kryesore në Skoci dhe Uells ndaj Partisë Kombëtare Skoceze pro-pavarësisë dhe Plaid Cymrut.

“Paraqitja ka qenë pothuajse aq e keqe sa nuk e priste askush për Partinë Laburiste, ose më keq”, ka deklaruar John Curtice, anketuesi më i respektuar i Britanisë.

Zgjedhjet për 136 këshilla lokale në Angli, së bashku me parlamentet e decentralizuara në Skoci dhe Uells, janë testi më i rëndësishëm i opinionit publik para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme që do të mbahen në vitin 2029.

Disa deputetë të Partisë Laburiste kanë thënë se nëse partia del dobët në Skoci, humb pushtetin në Uells dhe nuk arrin të mbajë shumë nga afërsisht 2.500 mandatet e këshillave që po mbron në Angli, atëherë Starmer do të përballet me presion të ri për t’u larguar, ose të paktën për të përcaktuar një afat kohor për largimin e tij.

Por aleatët e Starmerit nxituan ta mbështesnin kryeministrin, duke thënë se nuk ishte koha për të dalë kundër tij.

Ministri i Mbrojtjes, John Healey, ka deklaruar se gjëja e fundit që votuesit dëshirojnë është “kaosi i mundshëm i zgjedhjeve të lidershipit. Mendoj se ai ende mund të japë rezultate, ai ende mund ta ndryshojë situatën”, ka theksuar Healey për Times Radio.

Rezultatet preliminare kanë treguar ndarjen e vazhdueshme të sistemit tradicional dypartiak të Britanisë në një demokraci shumëpartiake, në atë që analistët thonë se përfaqëson një nga transformimet më të mëdha në politikën britanike në shekullin e kaluar.

Partitë dikur dominuese, Laburiste dhe Konservatore, po humbin vota ndaj Reformës, dhe në anën tjetër të spektrit politik ndaj majtistëve të Partisë së Gjelbër, ndërsa partitë nacionaliste pritet t’i fitojnë zgjedhjet në Skoci dhe Uells.

Farage ka deklaruar se rezultatet deri më tani përfaqësonin një “ndryshim historik në politikën britanike”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com