Muzaqi akuzon kryeshefin dhe kryetarin e Bordit KPM-së se janë takuar me Devollët, ndërhyn edhe anëtarja Aliu

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi ka akuzuar kryeshefin e Komisionit të Pavarur të Mediave, Faruk Rexhajn dhe kryetarin Jeton Mehmeti, se janë takuar me Devollët në zyret e këtyre të fundit.

Muzaqi ka kërkuar sqarime nëse për këtë takim, janë njoftuar Bordi i KPM-së.

“Më 14 nëntor në ora 10:00 jeni taku te Devollët bashkë me kryetarin e KPM-së, a i keni njoftu anëtarët e tjerë të bordit?”- ka pyetur Muzaqi.

“Ne me kryetarin kemi vizitu shumë media, kemi vizitu shumë media tjera”- është përgjigjur Rexhaj.

Muzaqi sërish ka insistuar në përgjigje konkrete të pyetjes së tij dhe ka kërkuar të dijë nëse anëtarët e bordit kanë qenë në dijeni për këtë takim.

“Unë një përgjigje të tillë e mora edhe nga kryetari kur i përmendi shumë e shumë media, e u mundu me e gju tek Klan Kosova. Por nuk tregoi që është taku me ArtMotion, me zyrtarë të tyre në zyre të tyre edhe me gjasë pe shoh që anëtarët e tjerë të bordit, nuk janë të informuar”- tha deputeti Muzaqi.

“Kjo po më sjellë afër një konkludimi që ju të dy e keni shitur si presion të kujtdo tjetër por marrëveshja është bërë aty për me ardhë te ky vendim dhe ti tash në pyetjen që po ta shtroj konkretisht “A i keni njoftu, se për që jeni kanë, jeni kanë të dytë, nëse do të tregoj edhe me kënd je taku edhe bisedën por ju duhet me konfirmu a i keni njoftu anëtarët tjerë të bordit?”- ka thënë Muzaqi në mbledhjen e Komisionit parlamentar të mbajtur të premten më 16.02.2024.

Rexhaj ri përsëriti se me kryetarin e KPM-së janë takuar me shumicën e mediave në Kosovë, teksa ka kërkuar nga deputeti i LVV-së të tregojë ato që ai i di.

“Unë e sqarova si në fillim. Duke qenë kryetar i KPM-së dhe kryeshef ekzekutiv nganjëherë takimet mund të jenë , që dalin ad-hoc. E kemi marr një turne me kryetarin kur i kemi sqaru të gjitha aktet ligjore të KPM-së, jemi taku me shumicën e mediave në Kosovë. Ajo se çka kemi biseduar, nëse ka diçka që ju mund ta dini dhe ne nuk jemi në dijeni, nuk është mirë të drejtoni akuza të pabaza”- tha Rexhaj.

“S`mundesh me iu shmang pyetjes. Si rrjedhojë e këtij takimi kemi kontrabandim të pikës së rendit të ditës. I keni futë në lajthitje anëtarët tjerë. Për mua është një shitje e ulët që ë keni bërë. Unë mendoj që kryetarin e bordit me kërku me shkarku. Te  tjerët le të deklarohen a kanë qenë të njoftuar”- është kundërpërgjigjur Muzaqi.

Në këtë debat ka ndërhyrë anëtarja e bordit të KPM-së, Luljeta Aliu e cila tha se çështja e këtij takimi për të është shumë shqetësuese.

“Këto çështje për mua janë goxha shqetësuese, për këtë arsye deshta edhe një herë prej deputetit me ditë saktësisht pyetjen cilën e shtruat. Ju pyetët se “a jeni taku me Devollët”, këta njerëz që e kanë ArtMotion në pronësi a po jo. Tani Klan Kosova nuk e di që është e Devollëve, këtu erdhi një përgjigje që janë taku me Klan Kosovën, te ne nuk figuron askund emri i familjes Devolli. Nëse ArtMotion ka qenë aty dhe qenka përfaqësues i Klan Kosovës se prapë është krijim i një monopoli dhe më të madh”- tha Aliu.

Aliu ka kërkuar nga kolegët e saj nga KPM-ja që të tregojnë se me kë janë takuar dhe çka kanë diskutuar.

“Edhe unë do doja ta dijë prej dy kolegëve të mi të nderuar se me kë saktësisht janë taku dhe çka kanë diskutu dhe për atë arsye kam kërku që kur të bëhen takimet me palë të treta të jemi edhe ne dikush prej bordit e jo të jeni vetëm ju. Unë nuk po them që keni bo ndonjë shkelje, nuk mund ta them duhet të vërtetohet, mirëpo nëse ka pasë tentativa prej jashtë që ju të ndikoheni në vendime që na keni përfshi edhe neve, atëherë e meritoni me të vërtetë që të hetoheni”- ka shtuar ajo.

Aliu: Kam kërkuar që shkeljet e kontratave të konsumatorëve nga ‘ArtMotion’ t’i dërgoj në prokurori, nuk kam gjetë mbështetje

Raportimi i KPM-së para Komisionit parlamentar për Media, i cili kishte filluar më 09.02.2024 dhe kishte përfunduar atë ditë për të vazhduar sot është duke vazhduar edhe sot më 16.02.2024.

Raportimi ka të bëjë me vendimmarrjen e KPM-së mbi shfuqizimin e vendimit të saj me të cilin kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena” pasi këto të fundit kishin transmetuar mesazhe mbështetëse për terroristët e vrarë në Banjskë më 24.09.2023.

Mbledhja e datës 09.02.2024 ishte përcjellë me shumë polemika mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre opozitarë drejtuar anëtarëve të KPM-së lidhur me këtë vendimmarrje të këtyre të fundit.