Mustafa: Prej kur jam takuar me Grenellin e dija se do të fillonim me marrëveshje ekonomike

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se prej vizitës së parë në Kosovë të emisarit special të presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka qenë në dijeni se marrëveshja mes dy vendeve do të fillojë me ekonomi.

“Kemi pasur informata dhe paralajmërime qysh herët, me ardhjen e parë të Grenellit në Kosovë se ShBA do të fillojnë me një marrëveshje ekonomike me Serbinë. Herën e parë e kam takuar në Ambasadën amerikane, qysh atëherë na është thënë që do të ketë marrëveshje ekonomike”, tha Mustafa në “T7”.

Sipas tij, kjo marrëveshje e arritur në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë është arritje e madhe.

“Unë konsideroj se është një arritje shumë e madhe dhe vetë fakti që kemi në Serbi një opinion të relaksuar sepse edhe atje po konsiderojnë së është marrëveshje e mirë”, shtoi Mustafa.

Më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.