MPJD reagon ndaj artikullit për 10 mijë euro bursë për kryetarin e Listës Guxo në Gjermani

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka reaguar ndaj artikullit të publikuar fillimisht në KALLXO.com e që më pas u publikua edhe në media tjera online, që kryetari i partisë Guxo në Gjermani, Berlind Gajraku është përfitues i një burse 10 mijë euro nga po kjo ministri.

Ministria i ka cilësuar titujt e mediave tendencioz e sugjestiv dhe ka konsideruar që në këtë formë kanë keqinformuar opinionin publik për përzgjedhjen e disa prej kandidatëve në Programin e Diplomacisë Qytetare të MPJD-së.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës informon dhe garanton opinionin publik se procesi i përzgjedhjes së 25 kandidatëve nga 84 aplikime sa ishin gjithsej ka qenë i hapur për të gjithë, i paanshëm, dhe në bazë të meritave profesionale të secilit kandidat,” shkruan në reagim.

KALLXO.com ka publikuar artikullin me 14 dhjetor dhe pavarësisht kërkesave, askush nga MPJD nuk kanë kthyer pëërgjgije.

Para publikimi të artikullit, KALLXO.com ka dërguar pyetje për këtë çështje në Ministri, ka telefonuar e i ka shkruar shefes së kabinetit të ministres, Triera Kasumin, ka kontaktuar zëdhënësen e Ministrisë Qendresa Fazliun, e poashtu e ka provuar të kontaktoj edhe me ministren Donika Gërvalla- Schëarz, por ata nuk janë përgjigjur në asnjërën nga këto.

Pas publikimit të artikullit që vë në pah që Berlind Gajraku ka përfituar bursën për Diplomaci Qytetare për 10 muaj, nga 1 mijë euro për muaj, Ministria ka dalë me reagim që përzgjedhja e kandidatëve për Programin për Diplomaci Qytetare ka aplikuar dhe respektuar çdo ligj, rregull apo procedurë ligjore sipas rregullave dhe ligjeve të Republikë së Kosovës dhe duke aplikuar vetëm kriterin e meritokracisë.

MPJD në reagim ka shkruar që përzgjedhja e kandidatëve është bërë nga Komisioni Vlerësues, megjithatë edhe pse KALLXO.com ia ka kërkuar emrat e Komisionit Vlerësues, ata nuk na i kanë dërguar.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është e përkushtuar në rritjen e transparencës dhe informimin e saktë të opinionit publik për të gjitha çështjet e ministrisë dhe shpreh keqardhje që mediumet të cilat kanë publikuar këtë lajm keqinformojnë opinionin publik,” – thuhet tutje në reagimin e ministrisë.

Artikulli “Hem kryetar i ‘Guxo’ në Gjermani, hem 10 mijë euro prej Ministrisë së Jashtme”, është i bazuar në të dhëna publike që janë publikuar në uebfaqen e MPJD-së dhe në të dhënat publike për Listën Guxo.

Berlind Gajraku në një përgjgije nga KALLXO.com e ka konfirmuar se është i përzgjedhur nga ana e komisionit.

“Kam konkurruar dhe jam zgjedhur nga komisioni. Edhe vitin e kaluar kam aplikuar, mirëpo nuk jam përzgjedh atëherë. Jam shumë i lumtur që jam pranuar dhe do te jetë një mundësi shumë e mirë të kontribuojë për vendin tim për një periudhë 10 mujore sa zgjate ky program” – tha ai.

Emri i Berlind Gajrakut si përfitues i bursës së programit për “Diplomaci Qytetare 2023”, është radhitur i gjashtëmbëdhjeti në listën përfundimtare të publikuar nga MPJD më 20 tetor.

MPJD ka ndarë nga 10 mijë euro për 10 muaj ndërmjet viteve 2023-2024 për secilin kandidat të suksesshëm të këtij programi, shkruan në thirrjen publike të Ministrisë. Ky program ka filluar më 25 tetor dhe do mbaroj më 25 gusht të vitit të ardhshëm. Sipas listës përfundimtare, përfitues të këtyre bursave janë 25 mërgimtarë.

Deputeti i Listës Guxo, Burim Meta e kishte konfirmuar për KALLXO.com që Gajraku vazhdon të jetë kryetar i partisë së tij në Gjermani, derisa fotografi së bashku me Gajrakun si kryetar ka publikuar në Facebook edhe njëri nga pjesëtarët e Listës Guxo, Haxhi Avdyli më 20 shtator.

Hem kryetar i ‘Guxo’ në Gjermani, hem 10 mijë euro prej Ministrisë së Jashtme