MINT do t’i punësojë 27 inspektorë të tregut

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka shpallur konkurs për punësimin e 27 inspektorëve të tregut.

Afati për aplikim në këtë konkurs është nga 4 gusht 2023 deri më 11 gusht 2023.

Sipas MINT, rritja e numrit të inspektorëve është për të rritur mbikëqyrjen e tregut dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset në vend.

“Inspektorati i Tregut në kuadër të MINT, që nga themelimi e deri më tani, është duke funksionuar me vetëm 15 inspektorë të tregut në tërë territorin e Republikës së Kosovës, kurse me pranimin e 27 inspektorëve të rinj, do të funksionojë me 42 inspektorë të tregut” – thuhet në njoftim.

“Kjo është një mundësi e mirë për të filluar një karrierë në fushën e inspektimit të tregut dhe të zhvillimit profesional, prandaj MINT inkurajon të gjithë aplikuesit potencial që plotësojnë kualifikimet minimale, të aplikojnë” – thuhet tutje në njoftim.

Klikoni KËTU për të parë detajet e konkursit.

Në muajin prill të këtij viti kishte dështuar një konkurs për pranimin e 27 inspektorëve të tregut.

Ky konkurs ishte lëvizje brenda kategorisë, ku të drejtë për aplikim në këtë procedurë kishin vetëm nënpunësit civil ekzistues të së njëjtës kategori të punësuar në të njëjtin apo në një tjetër institucion të shërbimit civil.