Dështon konkursi për inspektorë të tregut

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në fillim të muajit të kaluar kishte njoftuar lidhur me hapjen e një konkursi për 27 pozita për inspektorë të tregut.

Ky konkurs ishte lëvizje brenda kategorisë, ku të drejtë për aplikim në këtë procedurë kishin vetëm nënpunësit civil ekzistues të së njëjtës kategori të punësuar në të njëjtin apo në një tjetër institucion të shërbimit civil.

Mirëpo, nga 69 kandidatët që kaluan kriteret minimale të konkursit, asnjëri nga ta nuk arritën që t’i kaloj fazën e vetme testuese, intervistimin me gojë, dhe të fitonte vendin e punës.

Nga ana e Ministrisë u bë me dije për KALLXO.com se kësaj faze testuese i janë nënshtruar 40 kandidatë, kurse 29 prej tyre nuk janë paraqitur për intervistim.

Pragu i kalueshmërisë në këtë proces ka qenë që kandidatët të sigurojnë jo më pak se 60 pikë. Mirëpo, ky prag nuk u kalua nga asnjëri prej kandidatëve.

“Bazuar në dispozitat e Rregullores në fuqi, kandidatët që sigurojnë jo më pak se 60 pikë, mund të shpallen fitues të vendit të punës. Në këtë procedurë të konkursit asnjëri nga kandidatët e intervistuar nuk i ka arritur pikët minimale që të shpallet fitues” – ka thënë Ministria për KALLXO.com.

Kjo ka bërë që procedura e konkursit, lëvizje brenda kategorisë, të përfundoj pa kandidatë fitues.

KALLXO.com është interesuar të dij nëse i lejohet Ministrisë që të hap konkurs të jashtëm për këtë pozitë, përderisa MINT ka thënë se në bazë të rregullores në fuqi, pas procedurës së brendshme, lejohet vazhdimi me procedurën tjetër të konkursit.

Ministria ka thënë se procedura tjetër e konkursit më pas ndryshon edhe procedurat e vlerësimit të kandidatëve, ku do të përfshihet testimi me shkrim, CV dhe intervistimi me gojë.

Ministria e Tregtisë tregoi se në konkursin për pozitën Inspektor i tregut fillimisht kishin aplikuar 89 kandidatë, ku vetëm 69 prej tyre i kishin plotësuar kushtet për të vazhduar tutje, përderisa 20 të tjerë nuk kishin arritur që t’i plotësonin kriteret e kërkuara.

Sipas Ministrisë për këtë procedurë të konkursit, legjislacioni në fuqi ka përcaktuar vetëm vlerësimit nëpërmjet intervistës me gojë, por që vlerësohet edhe CV,  e po ashtu edhe njohuritë dhe aftësitë apo cilësitë e kërkuara për pozitën e punës.