Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja Bajrami tregon se kush e bëri ‘pazarin’ me PDK-në për Ligjin për rimëkëmbje ekonomike

Në intervistën për KALLXO.com ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk ka qenë e involvuar për sigurimin e votave të nevojshme për votimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike të premten.

Ministrja përballë Jeta Xharrës tregoi se kush ka negociuar me PDK-në për ta bindur të votojë këtë Ligj.

“Ka pasë një kohë të gjatë sepse presioni i publikut është ushtru në të gjitha partitë politike dhe jo vetëm tek koalicioni. Ne e patëm sfidë. Unë publikisht kam diskutu në foltoren e Kuvendit ku i kam bërë thirrje që të ulemi së bashku, PDK-ja siç duket ka reflektuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa i kanë dhënë amendament, nuk e di që janë zhvillu negociata”, tha ajo.

Ndërsa e pyetur nëse është pikërisht rezultati i zgjedhjeve në Podujevë ai që ‘rimëkëmbi’ raportet PDK-LDK për votimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ministrja Bajrami dhe që bisedimet kanë filluar qysh më herët.

“Unë të paktën nuk kam indikacione që ato lidhen”, tha ajo.

 

Ligji për rimëkëmbje ekonomike është publikuar në Gazetën Zyrtare, gjë që i hap rrugën tërheqjes së 10-përqindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti)

Publikimi në Gazetën Zyrtare i Ligjit vjen pas dekretimit të tij nga ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka njoftuar dje se tërheqja e 10-përqindëshit mund të bëhet 15 ditë pas publikimit të Ligjit në Gazetën Zyrtare, përveç nëse në Ligj nuk përcaktohet ndryshe.

Të premten Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike – COVID-19.