Ilustrim, Foto: REL/Shutterstuck

Ministria e Mjedisit ende nuk e ka të funksionalizuar Sistemin Elektronik të Shpronësimeve, vazhdon të punojë në ‘Excel’

Zyra Kombëtare e Auditmit ka gjetur se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk e ka funksionalizuar Sistemin Elektronik të Shpronësimeve, ndërsa punëtorët e kësaj ministrie vazhdojnë të punojnë me programin ‘Excel’.

Sipas Raportit të Auditimit për vitin 2022 për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, thuhet se Qeveria e Kosovës më 9 mars 2016 kishte marrë vendim përmes të cilit obligoheshin të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, të përcaktuara sipas ligjit, që të përdorin Sistemin Elektronik të Shpronësimit të krijuar nga Ministria e Mjedisit, për të futur të dhënat e punës së tyre gjatë procesit të shpronësimit, vlerësimit, kompensimit dhe regjistrimit të pronave.

ZKA-ja ka thënë se Ministria e Mjedisit është në proces e sipër të vendosjes së këtij sistemi që nga viti 2013, mirëpo ky sistem ende nuk është funksionalizuar dhe regjistrimi i të dhënave bëhet në ‘Excel’.

“Data-baza ku ruhen të dhënat e pagesave të ekzekutuara ndër vite për shpronësimet, mbahet në formatin Excel, gjë që paraqet rrezik të lartë që shënimet të humbasin ndryshohen apo të manipulohen, duke mos lënë gjurmë. Gjatë vitit 2022 ministria kishte ndërmarrë disa masa në këtë drejtim duke formuar një grup punues për ndërmarrjen e veprimeve ligjore dhe teknike për funksionalizimin dhe avancimin e Softuerit si dhe koordinimin e punëve me të gjitha institucionet përkatëse të përfshira në këtë proces” – thuhet në Raport.

Megjithatë, sipas ZKA-së, edhe në 2022 nuk ka arritur të funksionalizohet dhe nuk është në përdorim.

“Sipas zyrtarëve përgjegjës të ministrisë në këtë proces janë të përfshira edhe institucione tjera shtetërore dhe kërkohet bashkëpunim ndërinstitucional për tu funksionalizuar sistemi. Po ashtu për shkak të kompleksitetit të sistemit kërkohet edhe sigurim i kapaciteteve njerëzore, profesionale e teknike” – thuhet tutje në Raport.

Me këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Ministria është pajtuar.

Ndërsa në në krahasim me vitin paraprak, nga 25 rekomandime kryesore që i ishin bërë Ministrisë, sipas ZKA-së, shtatë prej tyre ishin zbatuar, një rekomandim më nuk ishte i aplikueshëm dhe tre ishin zbatuar pjesërisht. Ndërsa 14 rekomandime të tjera nuk ishin zbatuar.

Raportin e plotë të auditimit për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2022 mund ta gjeni KËTU.

Në janar të vitit 2020 KALLXO.com pati raportuar për këtë Sistem Elektronik të Shpronësimit që Ministria e Mjedisit e kishte blerë për 500 mijë euro në vitin 2013 dhe nuk e kishte funksionalizuar asnjëherë.

Ministria e Mjedisit bleu softwer 500 mijë euro dhe nuk e përdori asnjëherë