Kontrata për shokun e Hysen Durmishit: OSHP e dënon zyrtarin e prokurimit të ministrisë

Për shkak të parregullsive të konstatuara, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vendosur t’i tërheqë licencën zyrtarit të prokurimit publik në njërin prej tenderëve më të mëdhenj të Qeverisë Kurti 2.

Me vendimin e datës 4 dhjetor 2023, OSHP i ka tërhequr licencën zyrtarit të Ministrisë së Infrastrukturës për shkak të shkeljeve në tenderin për magjistralen Prishtinë-Podujevë.

KALLXO.com e ka konfirmuar në KRPP që zyrtari për të cilin OSHP-ja ka kërkuar heqjen e licencës është Nexhat Krasniqi.

Sipas vendimit të OSHP-së, nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e llotit të dytë të magjistrales Prishtinë-Podujevë, sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit, ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, pasi për këtë llot kishte ankesë aktive dhe tenderi është dashur të pezullohej.

Ankesa në OSHP ishte dorëzuar më 15 qershor 2023, ndërsa kontrata ishte nënshkruar katër ditë më vonë, më 19 qershor 2023 nga Nexhat Krasniqi, zyrtar përgjegjës i Prokurimit, i cili është futur në listen e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Hysen Durmishi, zv.ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe nga Izedin Bytyqi, zv.zyrtar kryesor Administrativ në këtë ministri.

Kontrata në vlerë prej 9.2 milionë eurove i ishte dhënë kompanisë “Bageri”, për të cilën zv.ministri Hysen Durmishi kishte thënë se pronarin e kësaj kompanie e ka shok.

“Unë Bujar Shabanin e njoh që nga viti 2001, e kam shok dhe ka pasur ndonjë periudhë kur unë nuk kam punu, nuk kam pasur ndonjë angazhim, pasi që kam dalë prej Komunës së Prishtinës, ku i kam ndihmu më shumë në kuptimin e organizimit kështu  si shok por asnjëherë nuk kam punu në kompaninë e tij. Thjesht e kam këshillu prej përvojës që unë e kam në menaxhim. Herë pas here kemi dalë me pi kafe dhe kemi diskutu si shokë”- kishte thënë Durmishi në një intervistë për KallxoPërnime, më 27 prill 2022.

Për shkak të mospezullimit të aktivitetit të prokurimit, Gjykata e Tenderëve ka kërkuar që t’i revokohet certifikata e zyrtarit përgjegjës të prokurimit në këtë ministri. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) e ka konfirmuar për KALLXO.com se zyrtari i ministrisë që OSHP ka kërkuar t’i revokohet certifikata është Nexhat Krasniqi.

Krasniqi tashmë ish-shef i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, më 3 nëntor 2023 ka hyrë në listën e sanksioneve të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke iu ndaluar hyrja atij dhe dy fëmijëve të tij. DASH në vendim e ka caktuar si “të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh”.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vendosur për këtë tender gjashtë muaj pas dorëzimit të ankesës nga kompania Sallahu edhe pse me Ligj të Prokurimit obligohet që të vendos për ankesa brenda 34 ditëve. Që nga nënshkrimi i kontratës, kompania “Bageri” e kontraktuar për 9.2 milionë euro ka vazhduar punimet në këtë aks të Magjistralës Prishtinë – Podujevë. 

Përkundër shkeljeve të konstatuara, OSHP-ja ka rekomanduar që vendimi i ministrisë dhe kontrata e nënshkruar me kompaninë “Bageri” të mbetet në fuqi.

“Paneli shqyrtues vendosi lënien në fuqi te kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit në rastin konkret duke u nisur kryesisht nga parimi i përgjithshëm i interesit publik duke ju referuar nenit 104 par. 4 pika (iii) të LPP-së, sipas të cilit OSHP duhet të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik”- thuhet në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka listuar disa arsye pse e ka lënë në fuqi një kontratë të nënshkruar në kohën kur kishte ankesë aktive për të njëjtin proces të prokurimit.

Kompania ankuese “Sallahu” nuk kishte qenë lider i konsorciumit përmes të cilit kishin aplikuar në tender dhe për këtë arsye, Ministria nuk iu kishte pranuar për ta trajtuar kërkesën për rishqyrtim.

Eksperti Shqyrtues i kësaj lënde ka thënë se ministria është dashur që të kërkojë plotësimin e kërkesës për rishqyrtim, në rastin kur është parashtruar nga një Operator Ekonomik që nuk ishte lider i konsorciumit.

Ai ka thënë se bazuar në Rregulloren e Prokurimit nr.001/2022, neni 61.2, Autoriteti Kontaktues është dashur të kërkojë nga aplikuesi që të plotësojë kërkesën e tij brenda një periudhe jo më të gjatë se dy ditë. 

“Nëse parashtruesi i kërkesës nuk vepron sipas kërkesës së lartpërmendur (për plotësim të kërkesës) kërkesa për rishqyrtim refuzohet si e paplotë”- thuhet në raportin e ekspertit shqyrtues.

Por, Paneli Shqyrtues, në vendimin e tyre kanë thënë se kompania ankuese nuk ka dorëzuar në version elektronik autorizimin që të veprojë në emër të grupit.

Paneli Shqyrtues ka thënë se paraqitja e kërkesës për rishqyrtim dhe njëherësh ushtrimi i ankesës në OSHP (në kuptim të instancës së dytë) për panelin shqyrtues krijojnë konstatimin se ankuesi nuk është i njëjti subjekt me atë që bartë subjektivitetin e ofertuesit.

“Posaçërisht në këtë rast paneli vëren nga shkresat e kësaj lënde se me rastin e ushtrimit të kërkesës për rishqyrtim, tani ankuesi nuk e ka dorëzuar (version elektronik) autorizimin lëndor gjë që kjo nënkupton faktin se i njëjti një veprim të tillë në instancën e parë e ka ndërmarr pa mandat të liderit. Dhe, përderisa krahas ankesës është dorëzuar në këtë rast autorizimi në OSHP, paneli konsideron se ankesa në këtë rast nuk i plotëson elementet qenësore shprehimisht të parapara me dispozitën e nenit 109 lidhur me nenin 108/A të LPP”– thuhet në konstatimet e bëra nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së, i përbërë nga Isa Hasani-Kryetar, Vedat Poterqoi-Refrues dhe Vjosa Gradinaj-Mexhuani-Anëtare.

Kompania “Sallahu” kishte pretenduar që ministria ka bërë shkelje të ligjit në momentin kur nuk i kishte dhënë qasje në ofertat e ofertuesve të rekomanduar dhe dëshmitë e pranueshmërisë së OE-së së rekomanduar.

“Lidhur me kërkesën e parashtruar Autoriteti Kontraktues është dashur që nga parashtruesi i ankesës siç përkufizohet në nenin 4, paragrafi 1 nën paragrafi 1.11 të LPP-së, të demonstrojë në ankesë se ai kualifikohet si “palë e interesuar” siç përcaktohet në nenin 4 të LPP-së. Për tu kualifikuar si palë e interesuar, parashtruesi i ankesës duhet të dëshmojë se ai ka një interes të veçantë material në rezultatin e një aktiviteti të prokurimit, para se gjithash në fitimin e kontratës dhe se ai është dëmtuar ose rrezikon të dëmtohet nga një shkelje e pretenduar”- thuhet në vendimin e OSHP-së.

Për çështjen e refuzimit të qasjes në dokumente, Paneli Shqyrtues nuk ka dhënë asnjë konstatim dhe as nuk në vendim e tyre nëse tregohen në mënyrë specifike nëse jane pajtuar me konstatimin e ekspertit shqyrtues.

Në mungesë të qasjes në dosjen e tenderit të kompanisë “Bageri”, kompania ankuese nuk kishte fakte për pretedimet për tenderin e kompanisë fituese. 

Ndërkohë, në vendimin e tyre, Paneli Shqyrtues e ka cekur se “në ketë çështje ankimore nuk mund të lëshohet në vlerësimin e pretendimeve lidhur me OE-në e rekomanduar për dhënie të kontratës, për faktin se ky vendim ka apriori karakter procedural”, por është në përgjegjësinë e AK-së të bëjë vlerësim në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik.

Paneli Shqyrtues nuk ishte lëshuar në analizimin e pretendimeve rreth ofertës së kompanisë “Bageri”, por ata kanë dhënë konstatime për ofertën e kompanisë “Sallahu”.

“Nisur nga pikëpamja e pavarur e tij, paneli mendon se edhe nëse ankesa në rastin konkret do të ishte e plotë në vështrim të dispozitave të cituara, megjithatë nga provat në dispozicion vërehet se në raport me kriteret e dosjes së tenderit, ankuesi nuk e ka provuar se disponon me kapacitetin e pamohueshëm teknik dhe njëherësh i njëjti në raport me ofertuesit e rekomanduar është dukshëm me çmim më i lartë” – thuhet në konstatimet e Panelit Shqyrtues.

I kontaktuar nga KALLXO.com, zëvendësministri Hysen Durmishi ka thënë se vendimi nuk prodhon kurrfarë efekti, meqenëse është refuzuar ankesa e kompanisë. Ai ka thënë se sikur të pritej vendimi i OSHP-së, nënshkrimi i kontratave me kompanitë do vonohej për 5 muaj e gjysmë e rrjedhimisht, sipas tij, do të vonoheshin edhe punimet në teren.

“Po ta prisnim ne vendimin e OSHP-së do duhej tek tani që të nënshkruanim kontratat, pra me 5 muaj e gjysmë vonesë, kur veçse janë duke shkuar drejt përfundimit punimet në Podujevë” – ka thënë Durmishi përmes telefonit.

“Kur ta lexon vendimin në tërësi, ti e sheh që OSHP-ja neve na ka dhënë të drejtë në të gjitha çështjet, arsyeja që kanë kërku është vetëm pse nuk është pritë vendimi i OSHP-së. Për që nuk është prit vendimi, pasojat do të ishin shumë më të mëdha”.

Hysen Durmishit, në korrik të vitit 2023, për emisionin “Kallxo Përnime”, kishte thënë se për këtë tender nuk kishte ankesë dhe tenderi nuk ishte pezulluar. 

Nuk është e vërtetë kjo, pra nuk ka pasur ankesë në OSHP. Sepse sikur të kishte ankesë në OSHP ne nuk do të mund t’i nënshkruajmë kontratat”–  kishtë thënë Durmishi në intervistë.

Ai madje kishte thënë se nëse OSHP-ja merr vendim në lidhje me ankesën, sipas tij, bën shkelje ligjore.

“Po nuk mund ta vazhdojë. Në qoftë se OSHP-ja merr ndonjë vendim duke u bazu në kërkesën e ‘Sallahut’, OSHP-ja bën shkelje ligjore. Shkelje të Ligjit të prokurimit publik. Dhe unë si me thanë kam shpresa që OSHP nuk bjen në kësi lajthitje sepse janë institucion shumë i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur të drejtë me bo ankesë në shkallë të parë kompania ‘Sallahu’, ka pasur të drejtë kompania ‘Salillari’, ose konkretisht personi i autorizuar, Lulzim Salilari. Askush tjetër. Nuk e kanë bërë një gjë të tillë” – ka thënë Durmishi për KALLXO.com.

KallxoPërnime, e kishte konfirmuar nga KRPP-ja se ministria nuk e kishte pezulluar aktivitetin e prokurimit edhe pse kishte ankesë të dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Në lidhje me vendimin e OSHP-së, kompania “Sallahu” më 3 janar 2024, ka deponuar padi në gjykatë.

“Po, ju njoftoj se kemi paraqitë padi ndaj vendimit të OSHP-së nr 2023/0397” – thuhet në përgjigjen e kompanisë “Sallahu” për KALLXO.com.

Pesë kontratat për pesë LOT-et e këtij tenderi janë nënshkruar më 19 dhe 20 qershor 2023. Vlera totale e kontratave është rreth 35 milionë euro. Punimet në magjistralen Prishtinë – Podujevë kishin vazhduar, madje punimet ishin vizituar nga zëvendsministri Hysen Durmishi e kryeministri, Albin Kurti.