Ministri Aliu paralajmëron kontrolle teknike të automjeteve në rrugë
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka njoftuar se është miratuar Udhëzimi Administrativ për Kontrollin e Rregullsisë Teknike për Automjete në Rrugë.
Aliu thotë se ekipet mobile të angazhuara nga MMPHI-ja do të jenë vazhdimisht në terren për kontrolla rutinore në komunikacion për të eliminuar pjesëmarrjen e mjeteve motorike me defekte.
“Tashmë ekipet mobile të angazhuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, do të jenë vazhdimisht në terren për kontrolla rutinore në komunikacion, për të eliminuar pjesëmarrjen e mjeteve motorike me defekte, përgjithësisht mjeteve motorike të cilët nuk i përmbushin kriteret e kontrollës teknike në komunikacion”- ka shkruar Aliu.
Ai thekson se përmes këtij udhëzimi do të kontribuohet në përmirësimin e qarkullimit rrugor, shkarkimin e komunikacionit, sigurinë në trafik, por edhe në mbrojtjen e ajrit dhe mjedisit.
“Përmes këtij udhëzimi tejet të rëndësishëm e të domosdoshëm, që është punuar duke marrë parasysh praktikat më të mira të rajonit dhe BE-së, do të kontribuojmë në përmirësimin e qarkullimit rrugor, shkarkimin e komunikacionit, sigurinë në trafik, por edhe në mbrojtjen e ajrit dhe mjedisit”- ka shkruar ministri Aliu.