Ministri Aliu tregon se pse u lëshua leje mjedisore për hidrocentralin në Deçan, pa dëgjim publik
Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ka thënë procedurat për t’u pajisur me leje mjedisore, nuk e parashikojnë që të organizohet dëgjim publik.
Kjo sipas tij, është arsyeja se pse nuk ka pasur një dëgjim publik, kur është lëshuar leja mjedisore për kompaninë ‘Kelkos Energy’, për hidrocentralin ‘Lumbardhi 1’ në Deçan.
Ai para gazetarëve ka thënë se leja mjedisore është përmbyllja e një akti. Sipas tij, dëgjimi publik organizohet kur kompania e merr pëlqimin mjedisor.
“Zakonisht pjesa e dëgjimeve publike bëhet te pëlqimi mjedisor, leja mjedisore në këtë rast kemi të bëjmë me një projekt ekzistues, i cili ka qenë i ndërtuar në vitet e ’70-ta a nuk e di kur, pra hidrocentral me rezervarë, për të cilin ka pasur pëlqim mjedisor të mëhershëm, i kanë plotësuar kritert dhe e kanë marrë. Kjo është procedura e rregullt, normale që është bërë” – tha Aliu.
Tutje, ministri Aliu ka thënë se kompanisë ‘Kelkos Energy’ i është refuzuar edhe një leje mjedisore dhe sipas tij, çështja është e mbyllur me Kelkosin.
“Një leje mjedisore që ata e kanë kërku, ua kemi refuzu. Kjo është situatë e mbyllur me Kelkos. Pra një leje mjedisore nuk mund të lëshohet, nëse nuk është në përputhje me kushtet ndërtimore që janë dhënë në pëlqim mjesior. Kur e ke një proces të ndërtimit të një hidrocentrali, dokumenti i parë që lëshohet është pëlqimi mjesior, atëherë është pjesa më e rëndësishme dhe kritike e këtij procesi, atëherë duhet edhe dëgjimi publik” – tha ai.
Liburn Aliu ka thënë se takimet me zyrtarët e kompanisë Kelkos, kanë qenë zyrtare, por tha se “nuk e di se a ekzistojnë protokolle të atij takimi”.
“Sa i përket protokolleve të takimeve, nuk e di a ka mbase të tilla. Takime me Kelkosin kemi pasur takime zyrtare. Kanë kërkuar takim, asnjëherë vetëm, me delegacion, me përfaqësues të departamentit, ku janë diskutuar çështjet e vendimeve gjyqësore për të cilat ne nuk kemi pasur të bëjmë” – deklaroi Aliu.
Në fillim të janarit të këtij viti, tri organizata jo-qeveritare ‘EcoZ’; ‘Gjethi’ dhe ‘Pishtarët’ kanë paditur Ministrinë e Mjedisit, për lëshimin e lejës mjedisore për hidrocentralin ‘Lumbardhi 1’ në Deçan.
Në komunikatën e organizatave paditëse pretendohet se ministri Liburn Aliu është takuar fshehurazi me kompaninë në fjalë, në mënyrë që të pajisë këtë kompani me leje mjedisore.
Më 4 janar këtë vit, KALLXO.com e ka pasur të pamundur kontaktimin me kompaninë ‘Kelkos Energy’, për shkak se në ueb-faqen e tyre zyrtare nuk kanë pasur e-mail kontaktues.