Ministria e Mjedisit bleu softwer 500 mijë euro dhe nuk e përdori asnjëherë

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), në vitin 2013 e kishte blerë një softuer për të menaxhuar më lehtë çështjen e shpronësimeve.

Ky softuer i kishte kushtuar ministrisë plotë 500 mijë euro. Që nga viti 2013 kur është blerë, ky softuer asnjëherë nuk është funksionalizuar dhe punëtorët e ministrisë vazhdojnë që regjistrimet e të dhënave për shpronësime, t’i bëjnë në formatin ‘Excel’.

Procedurat e tenderimit

Ministria në fjalë njoftimin për tender e kishte bërë me 17 dhjetor të vitit 2012.

Në këtë tender kishin aplikuar gjithsej 10 kompani, kurse fituese ishte shpallur  kompania ‘PBC-Group’. Kontrata ishte nënshkruar me datë 26 dhjetor të 2012-ës dhe vlera e përgjithshme e kontratës ishte plotë 507 mijë euro.

Nga vlera totale e kontratës, ‘PBC-Group’ ishte parashikuar që ta bënte ekzekutimin e furnizimeve deri në vlerën e 300 mijë eurove për vitin 2012, ndërsa pjesa tjetër do të ekzekutohej gjatë viteve të ardhshme.

Realizimi i kontratës ishte parashikuar që të filloj jo më vonë se 90 ditë, pas njoftimit për dhënie të kontratës.

Punëtorët e ministrisë ende punojnë me ‘Excel’

Në Raportin e Auditimit për vitin 2018 për MMPH-në është theksuar mos funksionalizimi i softuerit për shpronësime.

Auditorit thotë se grupet punuese të ministrisë e kishin hartuar projektin, por që nuk ishte nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i MMPH-së, Arben Çitaku.

“Për ta menaxhuar më lehtë çështjen e shpronësimeve, MMPH është në proces e sipër të vendosjes së sistemit elektronik të shpronësimit (SESh) që nga viti 2013, mirëpo ky sistem ende nuk është funksionalizuar dhe regjistrimi i të dhënave të shpronësimit vazhdon të kryhet në mënyrë në programin Excel. Kjo si pasojë e mos finalizimit të udhëzuesit operativ për SESh-in, i hartuar nga ana e grupit punues, por i pa nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i MMPH-së”, thuhet në Raportin e Auditimit.

Raporti i Auditimit gjithashtu thekson se regjistrimi i të dhënave të shpronësimit në ‘Excel’ si dhe mungesa e një procedure për këtë proces, rritë rrezikun e gabimeve dhe dëmton kualitetin dhe sigurinë e të dhënave. Auditori i ka rekomanduar ministrit që të rishikoj tërë procesin dhe të identifikoj faktorët që kanë shkaktuar vonesat dhe brenda një periudhe të caktuar, sistemi të futet në përdorim.

Ministria pa përgjigje

KALLXO.com ka provuar të marr një përgjigje prej Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për të kuptuar arsyen se pse ‘Sistemi Elektorinik i Shpronësimeve’ nuk është funksionalizuar tash e disa vjet.

Por, pas më shumë se një muaj pritje, ministria në fjalë nuk ka kthyer kurrfarë përgjigje, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

KALLXO.com gjithashtu ka kontaktuar edhe kompaninë fituese të tenderit. Në përgjigjen me shkrim të ‘PBC-Gruop’ thuhet se ata e kanë përfunduar punën e tyre dhe ministria do duhet ta shfrytëzonte. E sa i përket mosshfrytëzimit të softuerit, kompania ka thënë që të pyetet ministria.

“Softueri është funksionalizuar plotësisht dhe sipas termave të kontratës. I njëjti është demonstruar para aktereve relevant dhe është konstatuar se i arrin të gjitha kushtet e kontratës. Siç u tha edhe më sipër, softueri ka qenë i funksionalizuar. Ndërsa Ministria do duhet ta shfrytëzoj, sipas nevojave të planifikuara. Detajet e mos shfrytëzueshmërisë nuk i dimë e as shkaktarët eventual. Ju rekomandojmë t’i drejtoheni Ministrisë në fjalë”, thuhet në përgjigjen e kompanisë Pbc-group.

KALLXO.com, po ashtu ka provuar të marrë një përgjigje prej Sekretarit të Përgjithshëm të MMPH-së, Arben Çitakut, i cili përmendet në Raportin e Auditimit, që nuk e ka nënshkruar projektin. Por deri në momentin e publikimit të artikullit, Çitaku nuk ka kthyer përgjigje.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.