Ministri Murati paralajmëron ri-formatim të ministrisë në disa dikastere

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka paralajmëruar se në vitin e ardhshëm do të ketë disa ndryshime në ministrinë e tij.

Në konferencën për media, pas mbledhjes së qeverisë Murati tha se Instituti Special në Shtime do t`i kaloj Ministrisë së Shëndetësisë.

“Gjatë këtyre dy viteve kemi bërë vlerësime se cilat dikastere kanë sinergji dhe mund të përshtaten më mirë diku tjetër, në këtë rast ka qenë Insitituti Special në Shtime që përshtatet më tepër me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe bartet aty”, tha Murati.

Po ashtu sipas Muratit dikasteri i politikave sociale, do të kaloj në Ministrinë e Drejtësisë.

“Po ashtu në kuadër të politikave sociale kjo pjesa e strehimoreve për dhunë në familje por edhe fëmijët e braktisur, ose kategori të tjera janë bartur në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Është paraparë si më e përshtatshme që të delegohet si kompetencë në MD, pra ka të bëjë më tepër më një riorganizim ku dikasteret e ndryshme shihet se ku janë më të përshtatshme”, tha ai.

Qeveria Kurti 1 kishte vendosur që të bëjë disa fuzionime, e një ndër to ka qenë që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të kaloj në Ministrinë e Financave, edhe me ardhjen e qeverisë Kurti 2 vazhdoi ky fuzionim.