David Cameron viziton trupat britanike - pjesë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Foto: David Cameron/X

Ministri i Jashtëm britanik: Nëse grupi në Banjskë nuk do ndalej nga Policia mund të kishte një varg sulmesh

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, tha sot se nëse Policia e Kosovës nuk do ndalte sulmuesit në Banjskë do të mund të kishte një varg sulmesh në stacionet policore.

“Këndvështrimi im është që sulmi në Banjskë mund të kishte qenë një ngjarje e hidhur. Nëse shikon sasinë e armëve që janë dërguar në Kosovë, nëse shikon numrin e njerëzve, nëse ky grup nuk do të ndalej nga Policia e Kosovës, mund të kishte pasur një varg të tërë sulmesh në stacionet policore, mund të kishte bllokim rrugësh. Nuk ishte vetëm armatim, kishte edhe mortaja, kishte pajisje (armatim) të rëndë aty” – tha Cameron sot në një seancë dëgjimore në Parlamentin britanik lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Një polic i Kosovës ishte vrarë, një tjetër ishte plagosur e një tjetër ishte lënduar pas sulmit nga grupi terrorist në orët e para të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Në kundërpërgjigje, atë ditë Policia e Kosovës kishte vrarë disa pjesëtarë të grupit, disa i ka arrestuar dhe shumica kanë ikur në drejtim të Serbisë.

Në këtë aksion, Policia e Kosovës ka kapur arsenal të madh armatimi ushtarak, ndërkohë që institucionet e Kosovës akuzojnë Serbinë për mbështetjen e grupit të armatosur.

David Cameron tha se është i vetëdijshëm se sa i rrezikshëm ka qenë sulmi dhe se kjo ishte një ndër arsyet pse ai vizitoi Kosovën javën e kaluar, për të takuar KFOR-in, trupat britanikë dhe për të vlerësuar atë që ka ndodhur.

Kryediplomati britanik po ashtu tha se Rusia tenton ta destabilizojë Ballkanin edhe përmes përfaqësuesve të saj në Serbi.

Këto deklarata, ai i dha në përgjigje të pyetjeve të deputetes britanike, Alicia Kearns, e cila ka kërkuar nga Bashkimi Europian heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës dhe ekstradimin e Millan Radoiçiqit në Kosovë.

Ambasadori i Kosovës në Britani, Ilir Kapiti ka shpërndarë videon e këtyre deklaratave në rrjetin social X (ish-Twitter) dhe ka shkruar se duhet guxim për të thënë të vërtetën.

Pyetja e Kearns ishte se a nuk është shumë vonë për Britaninë e Madhe që të ndajë publikisht konkluzionet e saj se çfarë ka ndodhur ditën e sulmit në Bansjkë.

Deputetja pyeti Cameronin edhe për mendimin e tij për demokracinë në Serbi, teksa përmendi parregullsitë në zgjedhjet në Serbi dhe për raportimet për rrahjen e politikanit opozitar serb, Nikolla Sanduloviq nga shërbimi i sigurimit serb (BIA). Një ditë para kësaj, Sanduloviq kishte publikuar një postim duke kërkuar falje për vrasjen e 50 anëtarëve të familjes Jashari në Prekaz më 1998.

Cameron tha se janë të shqetësuar për mënyrën se si janë zhvilluar këto zgjedhje dhe se kanë kërkuar hulumtim dhe shkrimin e raporteve për parregullsitë në to, si dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE-së dhe jo vetëm.

Lidhur me rrahjen e politikanit opozitar serb, ministri britanik tha se janë të informuar dhe se tingëllon ekstrem shqetësuese dhe se kanë kërkuar informacion shtesë, por nuk duan të reagojnë pa u njoftuar me të gjitha faktet.