Alicia Kearns, Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Deputetja britanike kërkon nga Borell e Von der Leyen largimin e masave ndëshkuese që iu vunë Kosovës

Deputetja britanike, Alicia Kearns ka bërë thirrje sërish që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të cilat i janë vendosur pas tensionimit të situatës në veri të Mitrovicës.

Kearns përmes rrjetit social “X” ka shpërndarë një pjesë të një interviste të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, ndërsa ka shkruar, se Kosova punon me komunitetin ndërkombëtar deri sa në veri të vendit Beogradi orkestron sulm terrorist.

“Edhe një herë, Kosova punon me komunitetin ndërkombëtar, përkundër një sulmi terrorist të orkestruar nga Beogradi. Edhe një herë Vuçiq refuzon. Hiqni sanksionet ndaj Kosovës, tani Josep Borell dhe Ursula von der Leyen”- ka shkruar Kearns.

Në videon të cilën ka shpërndarë deputetja Kearns, dëgjohet presidenti serb Vuçiq duke përsëritur faktin se nuk do të njoh Kosovën.

Deputetja e Parlamentit të Britanisë, Alicia Kearns është shprehur kundër sanksioneve që BE-ja i kishte vënë Kosovës kohë më parë.

Kujtojmë se masat që BE-ja i ka vendosur ndaj Kosovës erdhën pasi e bëri fajtore për përshkallëzim të situatës në veri të vendit përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Ajo në një intervistë për “Kallxo Përnime”, të dhënë javën e kaluar, ka thënë se rasti i 24 shtatorit në Banjskë, ka ndërruar komplet situatën.

Pas sulmit, sipas saj masat është dashur t’i vendoseshin Serbisë.

“Në rend të parë, sanksionet kurrë s’ishin dashtë as me ju vu Kosovës, edhe po dua ta cekë që këto po quhen ‘masa negative’ që nënkupton që nuk është dashur të merren votat e gjëra të gjithë anëtarëve të BE-së. (Aleksandar) Vuçiqi ka shpallë 2 ditë zie për terroristët që erdhën në Kosovë dhe e vranë dikënd. Kjo duhet të kishte qenë mjaftueshëm për t’i vendosë masat e menjëhershme negative ndaj Serbisë, ata s’kanë pasur nevojë të votojnë për këtë. Realiteti është që 24 shtatori e ndërron situatën, por edhe ajo që ka ndodhë në maj dhe krejt ato veprime që kanë ardhë para kësaj situate”- tha ajo në Kallxo Përnime.

Ajo ka insistuar që para se të vazhdohet me dialogun Kosovë-Serbi, duhet të dihen rezultatet nga hetimi ndërkombëtar që po bëhet për rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Llajqaku pat sugjeruar që në dialogun politik nuk ndryshon asgjë por kjo nuk është realiteti sepse duhet em pas siguri për me pas dialog politik. Kështu që, po, Kosova ende duhet t’i plotësojë obligimet e saja ndërkombëtare që ka thanë që do t’i bëjë, por kjo duhet të bëhet në një klimë të së vërtetës, sinqeritetit dhe transparencës. Mu për këtë për mua është me rëndësi të shohim konkluzionet e hetimit para se të shkojmë para se të shkojmë tutje me dialog politik”, tha deputetja.

Deputetja britanike: Është duke u bërë një hetim ndërkombëtar për rastin e Banjskës – VIDEO