Alicia Kearns, Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Kearns pas fletarrestit ndaj Radojiçit: Të ekstradohen në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka reaguar pasi organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletëarrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq dhe 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.

Kearns ka thënë se të njëjtit duhet të ekstradohen në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë.

“Interpoli ka lëshuar një njoftim të kuq për Milan Radoiçiqin dhe të tjerët që qëndrojnë pas sulmit terrorist në Banjskë dhe vrasjes së policit kosovar Afrim Bunjaku. Radoiçiq tashmë e ka rrëfyer dhe duhet të ekstradohet në Kosovë me bashkëpunëtorët e tij për t’u përballur me drejtësinë”- ka shkruar Kearns.

Përveç, Millan Radoiçiqit, lista e personave të cilët tashmë kanë një fletarrest nga organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.

KALLXO.com ka siguruar edhe dosjen me emrat e personave të cilët janë në listën e të dyshuarve për ngjarjen në Banjskë.

Listës i prin Radoiçiq për dyshimet se i njëjti ka kryer veprat penale, konkretisht vepra të rënda kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Kosovës, kryerje të veprave terroriste si dhe pastrim parash.

Në anën tjetër, personat e tjerë në listën me fletarrest janë: L. S., M. R., M. J., M. K., M. V., M. V., N. S., S. P., S. J., S. R., T. V., U. J., U. M., V. Gj., V. R., V. V., V. A., V. J., A. M.

Në bazë të të dhënave dhe emrave të këtyre persona, KALLXO.com ka identifikuar se në mesin e tashmë të kërkuarve me fletarrest, ka prej tyre që kanë qenë edhe pjesë e protestave të dhunshme në Zveçan kur u sulmuan ushtarët e KFOR-it. Po ashtu në mesin e të kërkuarve nga INTERPOL-i ka edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Lista e personave që tashmë kanë fletarrest nga INTERPOL-i për sulmin terrorist në Banjskë