David Cameron viziton trupat britanike - pjesë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Foto: David Cameron/X
Cameron: Ka shtete që duan të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, këtë e pamë me sulmin e tmerrshëm të shtatorit
Hera e parë në vizitë zyrtare në Kosovë, kryediplomatin e Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, e solli së bashku me një mbështetje të madhe për Kosovën, duke pasur kryefjalë forcimin e ekonomisë së vendit, e sidomos pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe i cili ushtroi mandatin e tij gjatë viteve 2010-2016, përsëriti edhe në takimet me krerët kosovarë edhe në një video-mesazh të publikuar në rrjetin social “X” që ka vizituar vendin që ta ndihmojë Kosovën.
“Ka shtete që duan të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, këtë e pamë me sulmin e tmerrshëm që ndodhi në shtatorin e vitit të kaluar” – tha Cameron
“Mendoj se është e rëndësishme të punohet me Qeverinë e Kosovës për t’i ndihmuar ata të rrisin ekonominë e tyre, t’i ndihmojmë ata të ofrojnë stabilitet dhe siguri për vendin e tyre dhe të sigurohemi që forcat, duke përfshirë këta që qëndrojnë pas meje [ushtarët britanikë në Kosovë], janë të aftë dhe të gatshëm për të ndërmarrë veprime dhe mbrojnë këtë vend nëse është e nevojshme” – tha Cameron në videomesazhin që është realizuar gjatë vizitës së tij në Camp Film City në Prishtinë.
WATCH: @David_Cameron met UK troops deployed with @NATO_KFOR in Kosovo today. pic.twitter.com/XS7DRiMO9A
— Foreign, Commonwealth & Development Office (@FCDOGovUK) January 4, 2024
Këtë fjali, Cameron e tha menjëherë pas fjalisë së tij ku përmendi sulmin e 24 shtatorit, gjatë të cilit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. 200 ushtarë britanikë shtesë kishin mbërritur në Kosovë në tetor të vitit të kaluar, për ta përforcuar misionin e saj paqeruajtës Kosovë, KFOR, pas këtij sulmit. KFOR-i ka aktualisht rreth 4.500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere, në mesin e tyre edhe britanikë.
Kryediplomati tha që ashtu siç dihet disa forca e vende të tjera pa i pëmendur me emra të përveçëm, duan të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor që duan t’u shkaktojnë atyre probleme, duke përmendur sulmin në Banjskë. E sipas tij, për Kosovën dhe për Mbretërinë e Bashkuar është në interes të jashtëzakonshëm që kjo e fundit ta ndihmojë Kosovën për shkak se meriton stabilitet, paqe dhe siguri.
Në mbrëmjen e parë mysafir në Kosovë, kryediplomatit Cameron, iu shtrua darkë zyrtare nga kryeministri Albin Kurti. Ndërkaq të nesërmen, ai u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe homologen e tij, ministren Donika Gërvalla-Schwarz.
Cameron theksoi se Mbretëria e Bashkuar është mbështetëse e madhe e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, teksa shtoi se Britania do të ndihmojë Kosovën në betejat për t`u njohur në forume ndërkombëtare.
Gjithashtu, ai tha që duhet të iu ndihmojë vendeve të tjera që të ketë stabilitet, dhe “kjo që po bëjmë në Kosovë do të vazhdojë”.
Kryediplomati britanik: Kemi ardhur në Kosovë për t’ju ndihmuar në të gjitha fushat e mundshme