Ministri gjerman i Mbrojtjes kërkon shtensionim të situatës

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius në një konferencë për media me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në kuadër të NATO-s janë ofruar trupa shtesë për Kosovën që do të vijnë në pranverë.

“Gjermania pas SHBA-së është njëra nga mbështetëset me të mëdha të Kosovës. Ne bashkëpunojmë më sukses në shumë fusha. KFOR-i mbetet si garantues për stabilitet dhe siguri. Stabiliteti i rajonit dhe Kosovës është i një rëndësie të veçantë për ne”- deklaroi Pistorius.

Ai shtoi se pret deesklaim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sa u përket marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është kërkesë deeskalimi. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë por parakusht është dialogu. Marrë parasysh tensionet aktuale bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes. Në përgjithësi të gjitha palët, edhe Kosova duhet të kontribuoj në shtensionimin e situatës por edhe roli i Serbisë është i veçantë për të cilin do të kemi kujdes në të ardhmen. Ne do të japim kontributin dhe ndihmën tonë”- shtoi ai.

“Edhe në kuadër të udhëtimit në Serbi do të bëj thirrje për dialog. Dialogu duhet të rinis sepse vetëm atëherë afrohemi tek integrimi i Kosovës dhe rajonit ku bën pjesë edhe zbatimi i katalogut të masave të dakorduara në Ohër sepse qëllimi është integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”- deklaroi Pistorius.

Pistorius ka thënë se liberalizimi i vizave ishte një hap i mirë dhe i rëndësishem, kurse tani duhet progres në relacionin Kosovë – Serbi, si dhe stabilitet ekonomik e ligjor.

Në konferencë për media pas takimit me Ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se me Gjermaninë ka përkushtim për forcimin e raporteve ndërshtetërore.

“Dua t’i uroj mirëseardhje ministrit. Gjermania është aleate historike e republikës sonë. Gjermania ka qëndruar pranë nesh jo vetëm gjatë periudhave të rënda, por edhe në procesin e shtet-formimit e shtet-ndërtimit dhe vazhdon të mbetet aleat. Shteti dhe qytetarët do të jenë përherë falënderues. Shtimi i trupave të KFOR-it është reflektim i qartë i mbështetjes së popullit tonë dhe paqes e sigurisë afatgjate” – deklaroi Osmani.

Osmani tregoi se diskutuan çështjet e interesit të ndërsjellë dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë.

“Kosova mbetet e përkushtuar të vazhdoj të ndërtoj ushtrinë me standardet më të larta të NATO-s që të vazhdojë të kontribuoj në misione paqeruajtëse në botë dhe të mbroj shtetin tonë. Kosova është dëshmuar si partnere e besueshme dhe e përkushtuar. Është koha që Kosova t’i bashkohet NATO-s, kjo do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin në rajon. Për fat të keq politika e Serbisë vazhdon ta sfidoj integritetin e Kosovës dhe natyrshëm për ti parandaluar këto sulme ne kemi nevojë për përkrahjen e Gjermanisë dhe aleatëve” – shtoi Osmani.

Osmani pas takimit me ministrin gjerman: Është koha që Kosova t’i bashkohet NATO-s