Menaxhmenti i Policisë viziton familjen e heroit Afrim Bunjaku dhe pikë-kalimin kufitar në Jarinjë

Drejtori i Policisë së Kosovës,  Gazmend Hoxha, me stafin e tij, sot ka vizituar pikë kalimin kufitar në Jarinjë, si dhe familjen e rreshterit policor, heroit Afrim Bunjaku, i cili me 24 shtator të këtij viti, ra heroikisht në kryerje të detyrës në Banjskë të Zveçanit, pas një sulmi terrorist ndaj Policisë nga një grup i armatosur i serbëve.

Sipas një komunikate për media, drejtori Hoxha ka falënderuar familjen e heroit Bunajku për sakrificën dhe kontributin e dhënë për Kosovën.

“Në emër të Policisë së Kosovës drejtori Hoxha edhe njëherë gjatë kësaj vizite falënderoi familjen e Heroit Bunjaku për sakrificën dhe kontributin e dhënë për shtetin e Kosovës, me ç ‘rast i siguroi ata se Policia e Kosovës do  të jetë gjithmonë pranë tyre duke kujtuar heroizmin e Afrimit dhe duke ofruar përherë mbështetjen e nevojshme për familjen e tij. Familjes Bunjaku nga drejtori Hoxha iu dorëzua edhe një pllakatë me emrin e Heroit Rreshter Afrim Bunjaku, e cila ishte dhuruar nga Shoqata shqiptaro-amerikane (AALEA US ) e dedikuar për Heroin e Kosovës”- thuhet në njoftim.

Policia shprehet se do ta kujtojë përherë heroin Afrim Bunjaku dhe të gjithë heronjtë e tjerë të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për qytetarët dhe vendin.

Më tej, në njoftim thuhet se Hoxha ka takuar nga afër zyrtarët policor në pikë kalimin kufitar në Jarinjë, nga të cilët ka kërkuar që të vazhdojnë me përkushtim realizimin e detyrave policore në interes të sigurisë.

“Ndërsa gjatë vizitës në pikë kalimin kufitar Jarinjë, takoi nga afër zyrtarët policor të cilët i falënderoi për punën dhe angazhimin e tyre të pakursyer dhe njëkohësisht kërkoi nga të vazhdojnë me përkushtim realizimin e detyrave policore në interes të sigurisë, parandalimit të krimit e kontrabandës dhe menaxhimit sa më efikas të kufirit shtetëror”- thuhet në komunikatën e Policisë.

Në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit u vra Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm.

Ndësa në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ndaj të cilit Organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim, që ka të bëjë me ngjarjet në Banjskë.
Autoritetet e Kosovës grupin dhe veprimet e tij i kanë cilësuar si terroriste.

Që nga 24 shtatori dhe në ditët në vijim, forcat e Policisë së Kosovës kanë gjetur në Banjskë dhe në zonën përreth sasi të madhe të armatimit luftarak dhe dëshmi që grupi ishte mbështetur nga shteti serb.

Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare, disa prej të cilëve e kanë cilësuar si terrorist.