Memli Krasniqi reagon pas protestës së FIT, e quan të paaftë Qeverinë e Kosovës

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka publikuar një fotografi nga protesta e njësitit FIT të Policisë së Kosovës, të cilën e ka përshkruar si të vërtetë të turpshme të Qeverisë, siç e quan ai “të paaftë”.

“Këtë fotografi nuk është dashur ta shohim kurrë! Posaçërisht, pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të vendit tonë. Njësiti Special Intervenues dhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, krenaria e shtetit tonë, detyrohen të protestojë para Qeverisë së vendit të vet, kundër injorimit dhe nënçmimit që po ju bëhet nga ta”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në Facebook.

Njësiti FIT i Policisë së Kosovës përmes një proteste të mbajtur sot ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës, që propozimin për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikojnë edhe njëherë.

Kërkesat e këtij njësiti janë që të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve; rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës; si dhe shtesat për kushte specifike të punës.