Këto janë kërkesat e njësitit FIT të Policisë së Kosovës drejtuar kryeministrit Albin Kurti

Njësiti FIT i Policisë së Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës, që propozimin për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikojnë edhe njëherë.

Kërkesat e këtij njësiti janë që të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve; rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës; si dhe shtesat për kushte specifike të punës.

Një pjesëtar i këtij njësiti lexoi një deklaratë para gazetarëve, gjatë protestës që u mbajt para Qeverisë së Kosovës.

“Kërkesat tona janë ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme dhe nuk përfaqsohemi nga askush. Kërkojmë mirëkuptim dhe nuk dëshirojmë që të përdoremi nga askush për qëllime politike. Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka që 10 vite që kemi marrë premtime për benefite të cilat na takojnë, mirëpo deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar”- është thënë në protestë.

“Fillimisht mospërmbushja e kërkesave tona ka qenë mungesa e ligjit të pagave, mirëpo edhe 9 muaj pas miratimit të këtij ligji, nuk janë marrë parasysh kërkesat tona. Përkundrazi, ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesë e veçantë të cilën e kemi gëzuar nga viti 2010 u ndalua e tëra”.

Në fund, kjo njësi ka ftuar kryeministrin dhe Qeverinë që të marrin hapa konkret për realizimin e kërkesave, që i kanë quajtur legjitime.

Me 27 tetor, Qeveria e Kosovës ka propozuar shtesat për pagesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Shtesat fillojnë nga 45 euro minimumi, deri në 150 euro maksimumi, varësisht nga pozita dhe kategoria.

Qeveria propozon shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës