Mehaj: Ushtria jonë po vazhdon të furnizohet me armatim dhe pajisje moderne

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka kujtuar dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës nga forcat paramilitare serbe, 23 vjet më parë.

Mehaj ka thënë se Kosova tash është më e fortë politikisht e ushtarakisht.

Ai ka thënë se ushtria e Kosovës është furnizuar dhe vazhdon të furnizohet me armatim dhe pajisje moderne.

“Gjatë luftës së vitit 1998-1999 i dolëm në ballë armikut me ato mundësi e mjete që kishim, falë edhe ndihmës së jashtëzakonshme të SHBA-së. Sot 23 vite pas, Republika e Kosovës është më e fortë politikisht e ushtarakisht. Ushtria jonë është furnizuar e vazhdon të furnizohet me armatim dhe pajisje moderne. Vendi ynë është i sigurt falë ushtrisë sonë dhe aletëve tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Mehaj.

Ai tutje ka shtuar se forcimi i ushtrisë së Kosovës, është garanca kryesore e sigurisë dhe stabilitetit në vend e në rajon.

“Investimi në ushtri është obligim i yni të cilin do ta përmbushim me çdo kusht. Forcimi dhe pajisja e ushtrisë sonë, është garanca kryesore e sigurisë dhe stabilitetit në vend e në rajon. Ne kurrë nuk do të lejojmë më që populli ynë të përjetojë krimet, dëbimet, masakrat, dhunën, terrorin e gjenocidin që e kishte përjetuar gjatë luftës 1998-1999”, ka shkruar Mehaj në Facebook.