Mediat shtetërore të Koresë së Veriut: Putini i dhuron veturë Kim Jong Un në shenjë "marrëdhëniesh të veçanta personale"

Media shtetërore raportoi të martën – 20.02.2024, se presidenti rus Vladimir Putin i ka dhuruar një veturë homologut të tij koreano-verior Kim Jong Un, duke shënuar një tjetër gjest të lidhjeve të forcuara midis dy kombeve, një zhvillim që ka ngritur shqetësime në Shtetet e Bashkuara.

Sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve Koreane (KCNA), një delegacion rus dorëzoi veturën e prodhimit rus, të destinuar për përdorim personal të Kim, të dielën. Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, konfirmoi për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS se automjeti është një Aurus, një prodhues automobilistik luksoz i krijuar në vitin 2018 për të prodhuar veturat zyrtare shtetërore të Rusisë.

Duke shprehur mirënjohjen në emër të vëllait të saj, Kim Yo Jong, një zyrtar i lartë i Phenianit, përcolli vlerësimin për Putinin, duke thënë: “Dhurata shërben si një demonstrim i qartë i marrëdhënieve të veçanta personale midis liderëve të lartë të (Koresë së Veriut) dhe Rusisë”- siç raporton KCNA.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë shprehur shqetësime në rritje për implikimet e mundshme afatgjata të thellimit të partneritetit strategjik midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, sipas zyrtarëve të shumtë të njohur me inteligjencën e fundit të cituar nga CNN.

Në javët e fundit, Rusia thuhet se ka lëshuar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi të furnizuara nga Koreja e Veriut në objektivat ukrainas. Për më tepër, zyrtarët amerikanë shqetësohen se lidhjet më të ngushta të Koresë së Veriut me Rusinë mund të dobësojnë ndikimin e Kinës, duke hequr ndoshta një kufizim të rëndësishëm në programin e testimit bërthamor të Phenianit.

Në janar, diplomatë të lartë të Koresë së Veriut dhe Rusisë zhvilluan diskutime në Moskë përpara asaj që media shtetërore e Koresë së Veriut sugjeron se do të jetë vizita e ardhshme e Putinit në Phenian – e para e tij në më shumë se dy dekada. Kim më parë vizitoi Rusinë për një samit me Putinin në shtator, ku ai shprehu mbështetje për veprimet e Rusisë në Ukrainë, duke deklaruar, “Unë do të qëndroj gjithmonë me Rusinë”.

Dhurata e Putinit për Kim-in potencialisht shkel sanksionet e Kombeve të Bashkuara të vendosura ndaj Koresë së Veriut për shkak të programit të saj të armëve bërthamore. Megjithatë, pavarësisht sanksioneve që ndalojnë shitjen e mallrave luksoze në Korenë e Veriut, Kim është parë shpesh në automjete të ndryshme të nivelit të lartë gjatë viteve, duke përfshirë një limuzinë të blinduar Mercedes-Maybach Pullman Guard, e vlerësuar në mbi 1 milion dollarë.

Në vitin 2018, Kim mbërriti në një takim me zyrtarët amerikanë me një Rolls-Royce të zezë. Më herët po atë vit, dy automjete të blinduara Mercedes-Maybach S600 Guard raportohet se u dërguan nga Holanda në Korenë e Veriut, me gjasë për përdorim nga Kim, sipas Qendrës për Studime të Avancuara të Mbrojtjes me qendër në Uashington.

Qendra e lartcekur raportoi gjithashtu se Pheniani importoi mbi 800 automjete luksoze midis 2015 dhe 2017, me shumicën me origjinë nga kompani ruse. Gjatë vizitës së Kim në Rusi shtatorin e kaluar, Putini i tregoi limuzinën e tij Aurus liderit të Koresë së Veriut.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e lejoi gjithashtu Kim-in të shikonte limuzinën presidenciale Cadillac, të njohur si “Bisha”, gjatë bisedimeve të tyre në Singapor në vitin 2018./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala