Protesta e studentëve para Rektoratit të UP-së, kërkuan përjashtimin e profesorit që dyshohet se ngacmoi seksualisht 27 studente të Mjekësisë

Studentët e UP-së kërkojnë përjashtimin e profesorit që dyshohet se ngacmoi 27 studente të Mjekësisë

Në një material pëlhure ku shkruan me shkronja të mëdha “Përjashtojeni Xhevat Krasniqin!”, studentë e studente u mblodhën pas kësaj parulle, me të cilën përçuan njërën nga kërkesat e tyre të protestës që mbajtën para Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës më 26.03.2024.

Xhevat Krasniqi është profesor i rregullt i matematikës në Fakultetin e Edukimit dhe së fundmi është raportuar se 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë e kanë denoncuar për ngacmim seksual në Këshillin e Etikës të UP.

Sipas raportimeve, Krasniqi ka ligjëruar në Fakultetin e Mjekësisë si profesor i angazhuar nga fakultetet e tjera brenda UP-së.

Përveç kërkesës për përjashtim të profesorit Krasniqi nga UP, protestuesit kërkuan edhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Etikës, pasi pretendohet se KE nuk i ka ftuar palët për intervistim edhe pas tri javësh kur ka pranuar denoncimin.

Sipas Rregullores për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual dhe ngacmimi në Universitetin e Prishtinës, KE duhet ta kontaktojë të dyshuarin menjëherë pas pranimit të denoncimit, jo më vonë se pesë ditë kalendarike pas pranimit të denoncimit formal.

“Këshilli i Etikës e kontakton subjektin e dyshuar menjëherë pas pranimit të denoncimit dhe e fton në intervistim, jo më vonë se pesë ditë kalendarike pas pranimit të denoncimit formal për ngacmim ose ngacmim seksual, duke u siguruar që subjekti i dyshuar është njoftuar dy ditë më herët” – thuhet në nenin 11, paragrafi 3, të rregullores së UP-së.

Gjithashtu, pretendohet se Fakulteti i Mjekësisë e ka ndërprerë bashkëpunimin me profesorin Krasniqi pas këtij rasti, i cili edhe nuk figuron në personelin e këtij fakulteti si profesor i angazhuar nga fakultetet tjera brenda UP-së.

Por, Krasniqi ende figuron si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit.

KALLXO.com e ka pyetur UP-në, Fakultetin e Mjekësisë dhe atë të Edukimit në lidhje me këtë rast dhe është në pritje të përgjigjeve.

Ndërsa, profesori Krasniqi nuk ka qenë i qasshëm kur është tentuar të kontaktohet nga KALLXO.com.

Protesta filloi në Fakultetin e Edukimit për të vazhduar më pas në Rektorat të UP-së.

Gjatë protestës, përpara dy objekteve të UP-së u lexuan disa deklarata të cilat pretendohet se janë të 27 studenteve, të cilat i kanë dorëzuar në KE.

“E këtu po i citoj fjalët e tij: Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh – i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar” – u lexua gjatë protestës një deklaratë që pretendohet se është e njërës nga 27 studentet.

“A i keni ly buzët njëjtë a? Lyeji ti sa të duash buzët se si të kësaj nuk mundesh m’i pasë”.

Profesori ka pasur edhe shprehje të tjera si “femrën kur e mbulon me jorgan, i humb bukuria” – një tjetër deklaratë e studenteve.

Më tej protesta ka vazhduar me thirrje drejtuar Fakultetit të Edukimit e UP-së për të reaguar në lidhje me këtë rast, thirrje këto të cilat ishin: “As 27 denoncime s’po i mjaftojnë UP-së me përjashtu një ngacmues seksual”, “Ngacmimi seksual nuk guxon të normalizohet”, “UP mos hesht!”, “27 denoncime nuk janë veç numra”.

Blenda Asllani nga Lëvizja Feministe Studentore tha se mungesa e reagimit në UP e normalizon ngacmimin seksual brenda këtij institucioni.

“Ne si studente dhe studentë jemi thellësisht të shqetësuar nga mungesa e gatishmërisë së Universitetit për të luftuar këtë fenomen dhe nga heshtja kur i kërkohet pronocim lidhur me këtë çështje… Ne u besojmë 27 denoncueseve, i mbështesim ankesat e tyre dhe kërkojmë që ky profesor të përjashtohet nga UP-ja si dhe të shkarkohen anëtarët e Këshillit të Etikës, të cilët në vazhdimësi po dështojnë që ta kryejnë punën e tyre” – ka deklaruar Asllani para përfundimit të protestës.

(Shënim: Ky artikull është edituar në titull, me ç’rast fjala “dorëheqjen” është zëvendësuar me “përjashtimin”. Koha e editimit, më 26.03.2024, në ora 20:29)