Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mbahet takimi i tretë i grupit punues për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se sot në Bruksel është mbajtur takimi i tretë për çështjen e targave mes delegacioneve të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak ka thënë së ka besim që delegacionet do të gjejnë një zgjidhje të përhershme për të mirën e qytetarëve të tyre.

“Sot në Bruksel është mbajtur mbledhja e tretë e Grupit Punues për targa. Delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë u angazhuan në një diskutim të thelluar. Kam besim se do të gjejnë një zgjidhje të përhershme për të mirën e qytetarëve të tyre”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

 

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat e automjeteve me Serbinë.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.