Foto: RTV21

Maqedonia e Veriut mbështetë Kosovën për anëtarësim në NATO

Republika e Kosovës e ka mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO.

Kështu ka thënë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Maqedonia e Veriut është vendi i dytë i cili përkrah anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ditë më parë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë një konference të përbashkët për media me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, konfirmoi mbështetjen për Kosovën në rrugën drejtë NATO-s.

Prej disa ditësh, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj nisi një fushatë në formë kërkese në rrjete sociale duke thënë se “është koha që Kosova të anëtarësohet në NATO”.

Kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në NATO e përmenden edhe krerët e institucioneve të vendit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.

Xhaferi, në një intervistë për RTV21 në Maqedoni tha se situata e krijuar së fundmi në Ukrainë kërkon që procedurat standarde për anëtarësim në NATO të anashkalohen. Kështu që, sipas tij, të mundësohet anëtarësimi i Kosovës në organizatën më të madhe të sigurisë në botë.

“Mendoj që në relacionet që janë krijuar në kontekst global gjeopolitik, procedurat që i kemi ndjek ne dhe vendet tjera, me të cilat kemi qenë në një pako për anëtarësim në NATO, s’do mend që ky momentum kërkon që ato procedura të përfillen, pra ato procedura nëse bien dakord të gjitha vendet anëtare, duhet të përshpejtohen dhe duhet të shkurtohen konformë situatës së krijuar”, tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

“Gjithsesi që Maqedonia e Veriut, edhe paraprakisht ka ofruar përkrahjet e duhura për afrim të Kosovës kundrejt Unionit Evropian dhe NATO-s duke intensifikuar bashkëpunimin edhe në sferën e mbrojtjes. Gjithsesi, unë jam i bindur se edhe ka edhe do ta ketë këtë mbështetje, në cilën do formë që do të mund të materializohet dhe të procedohet ajo përpjekje për NATO-n, për faktin se të gjitha anëtarët e NATO-s duhet të kenë konsensus për këtë çështje”, deklaroi tutje kryetari Xhaferi.

I pyetur nëse qëndrimi që po shprehë ai është edhe institucioneve të tjera të Maqedonisë së Veriut, ai tha se bashkëpunimi në sferën e mbrojtës më Kosovën, konfirmon edhe mbështetjen e këtij vendi për Kosovën në NATO.

“Më publikisht se unë si kryetar i Kuvendit që e them që, s’do mend që e ka mbështetjen (Kosova) për faktin që në të gjitha instancat që kemi pasur relacion dhe komunikim me institucionet e Kosovës, e në veçanti në sferën e mbrojtjes, kemi kontribuar që Kosova të jetë në të gjitha stërvitjet që bëhen. Pjesëtarët e forcës së Kosovës shkollohen në akademinë ushtarake në Shkup, si një prej segmenteve të bashkëpunimit”, deklaroi ai.

Në një përgjigje për KALLXO.com, NATO ka treguar se anëtarësimi i shteteve është i rregulluar me një traktat të brendshëm ku neni 10 i këtij dokumenti shpjegon procedurat.

“Palët, në marrëveshje të plotë, mund të ftojnë çdo Shtet tjetër evropian në një pozitë të tillë që të nxisë më tej parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut që të aderojë në këtë Traktat”, thuhet në nenin 10.

“Çdo Shtet i ftuar në këtë mënyrë mund të bëhet Palë në Traktat duke depozituar instrumentin e tij të aderimit pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të informojë secilën nga Palët për depozitimin e çdo instrumenti të tillë aderimi”, thuhet tutje në këtë traktat.

KALLXO.com dje gjatë ditës raporto se Kosova ende nuk ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në NATO.

Ndërkohë, NATO shpjegoi se angazhimi në Kosovë nuk ka ndryshuar si dhe “çdo ndryshim në qëndrimin e forcës sonë të KFOR-it mbetet i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar nga kalendarët”.

Anëtarësimin e Kosovës në NATO e ka komentuar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë. Përmes një përgjigje me shkrim, kjo ambasadë tha se mirëpret aspiratën e Kosovës për anëtarësim ndërsa sugjeroi “fokusim në planin 10 vjeçar të FSK-së”.

SHBA mirëpret aspiratën e Kosovës për NATO, sygjeron fokusim në planin 10 vjeçar të FSK-së

www.kallxo.com