Erdogan: Turqia e përkrah hyrjen e Kosovës në NATO

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij e përkrah hyrjen e Kosovës në NATO.

Këtë deklaratë Erdogan e bëri në një konferencë për media pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Sa i përket anëtarësimit në NATO, për ta mbështetur procesin e Kosovës këtu, Turqia nuk ka nevojë për të marrë leje nga askush, për ta ofruar këtë mbështetje. Ne kemi ndërmarrë hapat tanë ashtu siç i ndërmorëm në rastin e njohjes ashtu do të bëjmë edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, deklaroi presidenti Erdogan.

“Vizita e presidentes Osmani në Turqi do të ndikojë në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, përveç çështjeve politike, diskutuam edhe për fusha tëtjera. Ne i kushtojmë rëndësi zhvillimit të Kosovës. Kompanitë tona janë të interesuara të investojnë në Kosovë sidomos në sektorin e energjisë”, është shprehur presidenti turk.

Po ashtu gjatë konferencës, Erdogan është shprehur se Turqia mbështet procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani pasi ka falënderuar homologun turk për mikpritjen, tha se raportet Kosovë-Turqi ashtu siç kanë qenë të shkëlqyeshme deri më tash të vazhdojnë edhe më tutje.

“Sot kujtuam edhe ndihmën e presidentit Erdogan në zhvillimin e shtetit të Kosovës”, është shprehur presidentja Vjosa Osmani.

Presidentja tha po ashtu se po punohet me Turqinë për mundësinë e shtimit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Do të vazhdojmë të kemi bashkëpunim në shumë fusha, por do të fokusohemi më shumë në fushën e sigurisë”, është shprehur Osmani.

Sipas Osmanit, shqiptarët në Turqi dhe komuniteti turk në Kosovë kanë qenë urë lidhëse në raportin midis Kosovës dhe Turqisë.

Po ashtu, ajo ka thënë se të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që gjendja mos të destabilizohet.

“Na duhet unitet i plotë karshi tendencave të Rusisë, jemi në koordinim të vazhdueshëm me aleatët tanë për mos lejim të destabilitetit, Kosova është partner i besueshëm, e ardhmja jonë është e qartë”, është shprehur Osmani.

“Vetëm me njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë do të arrihet paqja dhe stabiliteti në Ballkan”, theksoi ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë zyrtare në Turqi. Gjatë vizitës, ajo ka zhvilluar disa takime.

Gjatë ditës së sotme ka pasur takime me kryetarin e Parlamentit të Turqisë e po ashtu është pritur me ceremoni zyrtare nga presidenti turk Erdogan.