Selia e NATO-s në Bruksel - Foto: REL/Shutterstock

Lufta në Ukrainë - NATO thotë se angazhimi në Kosovë nuk ka ndryshuar

Gjashtë ditë janë bërë prej kur një vendim i presidentit, Vladimir Putin prodhoi një luftë re në kontinentin evropian.

Qindra të vrarë dhe mbi gjysmë milioni refugjatë ukrainasë u larguan nga vendlindja e tyre pas sulmit ushtarak nga Rusia.

Derisa luftimet në Ukrainë po vazhdojnë, zërat e diplomatëve thonë se Rusia mund të mos ndalet vetën në Ukrainë, duke paralajmëruar se pushtimi rus mund të përfshijë edhe vendet fqinje të saj dhe Ballkanin Perëndimor.

Madje, njohës të çështjeve ushtarake dhe të sigurisë parashikuan se siguria e Kosovës mund të cenohet.

Pikë kritike sipas tyre është pjesa veriore e vendit tonë.

Të martën, në një përgjigje për KALLXO.com, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO tha se angazhimi i kësaj organizate të sigurisë në Kosovë do të vazhdoj njëjtë, siç ka qenë deri më tani.

“Angazhimi i NATO-s në Kosovë nuk ka ndryshuar”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.

Tutje, kjo organizatë konfirmoi mbështetjen për Kosovën dhe organizatat e saj të sigurisë.

“Përveç KFOR-it, NATO përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s – vazhdon të kryejë aktivitete për ngritjen e kapaciteteve në mbështetje të organizatave të sigurisë së Kosovës, brenda mandatit të tyre fillestar”, thuhet tutje në përgjigje.

“Ne mbetemi të përkushtuar përmes KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe të mandatuar nga OKB-ja, e cila kontribuon për një mjedis të sigurt dhe për një stabilitet më të gjerë në Ballkanin Perëndimor”, vijon përgjigja.

Qëndrimi i misionit të KFOR-it në Kosovë, sipas NATO-s nuk ndikohet nga koha por nga kushtet.

“Çdo ndryshim në qëndrimin e forcës sonë të KFOR-it mbetet i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar nga kalendarët”, thotë NATO.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Meha, së fundmi, për herë të dytë, adresoi një kërkesë për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Përveç kësaj kërkese, Mehaj kërkoi që kjo organizatë e sigurisë të ndërtojë edhe një bazë të re ushtarake brenda territorit të vendit tonë.

Kontrolluesi i Fakteve të BIRN: A ka Kosova një shans për t’u anëtarësuar në NATO?

www.kallxo.com