Qyteti i Kotorrit në Malin e Zi, Foto: Wikimedia Commons/Geotiger18

Mali i Zi: Nuk ka kushtëzime për hyrjen e qytetarëve të Kosovës

Qeveria e Malit të Zi ka njoftuar se nuk kanë vënë kushtëzime për lejimin e hyrjes së qytetarëve të rajonit në këtë shtet, në kuadër të masave të reja kundër COVID-19.

Kësisoj qytetarëve që vijnë nga Kosova, Serbia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, dhe Maqedonia Veriore, nuk do t’u kërkohet asnjë dokument në lidhje me COVID-19 për të hyrë në Mal të Zi.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës fillimisht sot ka njoftuar që për hyrje në Mal të Zi kërkohej të paktën një dëshmi e vaksinimit ose testit për COVID-19, por pa e specifikuar se kjo nuk vlente për  qytetarët e Kosovës.

Por të njëjtit më pas e kanë fshirë publikimin në Facebook, pa dalë me sqarime të tjera.

Ndërsa Mali i Zi ka njoftuar se kufizimet në qarkullim vlejnë për të gjitha vendet tjera, përpos rajonit.

Masat e reja në Mal të Zi do të hyjnë në fuqi nga 24 gushti.