Albin Kurti dhe Erden Atiq - Foto: Lëvizja Vetëvendosje / Facebook
LVV për kryetar të Mitrovicës së Veriut garon me kryetarin aktual, Erden Atiq
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, është nominuar nga Lëvizja Vetëvendosje kandidat edhe për një mandat tjetër në krye të kësaj Komune.
Sipas njoftimit të LVV-së, Atiq ka dëshmuar se qeverisja mund të jetë transparente, e përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse.
Zgjedhja e Atiqit, siç thonë nga LVV, është vizion që nuk mbaron me një mandat por rritet me çdo hap të ri.
“Sot riafirmojmë besimin dhe mbështetjen tonë për Erdenin me bindjen se rruga që kemi nisur është rruga e rikthimit dhe forcimit të sovranitetit tonë në çdo cep të vendit. Mitrovica e veriut është dhe do të mbetet pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës, kjo është përgjegjësia, kjo është detyra, kjo është e ardhmja që po ndërtojmë”- thuhet në njoftim.
Kandidate për kryetare të Komunës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës do të jetë Flutura Hamza.
Ndonëse Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar listën e kandidatëve për asamble, nuk ka publikuar ndonjë kandidat për kryetar të kësaj komune.
Para disa ditësh, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka zyrtarizuar kandidatët për kryetarë të komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Kandidat për kryetar të Leposaviqit nga LVV do të jetë përsëri Lulzim Hetemi, i cili është edhe kryetari aktual. Në Zubin Potok LVV do të garojë me Vedat Mehmetit e në Zveçan me Fetah Pecin.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12.10.2025.
Kujtojmë se në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 23.04.2023 Erden Atiq nga LVV u zgjodh kryetar i Mitrovicës së Veriut, Ilir Peci nga PDK kryetar i Zveçanit, Izmir Zeqiri po ashtu nga PDK kryetar i Komunës së Zubin Potokut, si dhe kryetar i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nga LVV.
Më 19 maj të vitit të lartcekur, u betua Erden Atiq, në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Ndërsa më 25 maj, KALLXO.com raportoi drejtpërdrejt për betimin kryetarëve të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit.