Objekti i Komunës së Zubin Potokut (25.05.2023)

LIVE – Betohen kryetarët e rinj të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit

14:55

Betohet kryetari i ri i Leposaviqit, zgjidhen nënkryetarja dhe kryetari i Kuvendit Komunal

Është betuar të enjten kryetari i ri i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Gjithashtu, dy pjesëtarë të komunitetit serb janë zgjedhur në pozitën e nënkryetares dhe kryetarit të Kuvendit Komunal të Leposaviqit, deklaroi kryetari Hetemi. Gorsko Buriq u zgjodh Kryesuesi i Kuvendit Komunal.

Pas betimit ceremonial që u zhvillua në një zyrë lokale e cila funksionon në shkollën “Kadri Bistrica” në Leposaviq, kryetari Hetemi doli para mediave dhe tha se punën do të vijojë ta kryejë nga Bistrica dhe jo nga objekti komunal deri sa t’u lejohet hyrja brenda kësaj komune.

13:00

Kryetari i Zubin Potokut pret që të pranohet nga të gjithë qytetarët

Izmir Zeqiri, kryetari i ri i Zubin Potokut u shpreh se do shërbej në mënyrë të paanshme për të gjithë qytetarët.

“Betohem ose deklaroj solemnisht se do i kryejë detyrat dhe ushtrojë kompetencat  si kryetar i komunës së Zubin Potokut me nder e besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me  ligjin në mënyrë që të sigurojë kushte për një jetë të qentë për të gjithë”- u shpreh ai.

Zeqiri theksoi se do jenë të fokusuar që ta respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës në tërë territorin e Zubin Potokut.

10:54

Kryetari i ri i Zubin Potokut zotohet se do të punojë për të gjithë

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri menjëherë pas betimit ka folur para mediave të pranishme, duke thënë se do të punoj për të gjithë komunitetin e kësaj komune, pa dallime.

Zeqiri ka thënë se si do të shkojë në objektin e komunës dhe nga aty do të nis puna e tij si kryetar i ri.

Tutje ai ka deklaruar se pret që pjesë e ekipit të drejtorive të jenë edhe profesionistë serbë që jetojnë në Zubin Potok.

Izmir Zeqiri, kryetari i ri i Zubin Potokut

10:52

Pas betimit, kryetari i Zubin Potokut largohet nga objekti me përcjellje policore e mbrojtje të afërt

Izmir Zeqiri sot u betua me ceremoni si kryetar i Komunës së Zubin Potokut.

Betimi i tij nuk u bë në objektin e komunës por në Zyrën Lokale për Komunitete e cila gjendet në fshatin Çabër.

Pas betimit, kryetari i ri i kësaj komune u deklarua para mediave.

Ai tha se do të shkoj edhe në komunë brenda objektit dhe nga aty do të niset puna. Tutje ai shtoi se pret që pjesë e ekipit të drejtorive të jenë edhe profesionistë serb që jetojnë në Zubin Potok.

Në pyetjet në gjuhën serbe Zeqiri nuk pranoi të përgjigjet nën arsyetimin se mos të keqkuptohet në ndonjë fjali.

Pasi kreu edhe deklarimet Zeqiri u përcoll nga ekipet policore e mbrojtja e afërt.

10:40

KFOR mbikëqyr zonën e Zubin Potokut

Pjesëtarë të KFOR-it janë parë duke mbikëqyrur zonën e Zubin Potokut në afërsi të pikës ku pritet të filloj ceremonia e betimit të kryetarit të kësaj komune, Izmir Zeqiri.

Betimin e tij, Zeqiri do ta bëjë në objektin e Zyrës Lokale për Kthim dhe Komunitete në fshatin Çaber.

KFOR duke mbikëqyr zonën e Zubin Potokut

10:28

Përgatitjet për betimin e Izmir Zeqirit si kryetar i Zubin Potokut

Forca të rendit nga EULEX-it , KFOR-it dhe Policia e Kosovës janë parë në afërsi të pikës ku pritet të filloj ceremonia e betimit të kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqirit.

Zeqiri vjen nga Partia Demokratike e Kosovës dhe sot pritet ta marrë mandatin për të qeverisur me Komunën e Zubin Potokut.

Betimin e tij, Zeqiri nuk do ta bëjë në objektin e Kuvendit Komunal, por në Zyrën Lokale për Kthim dhe Komunitete në fshatin Çaber.

Përgatitjet për betimin e Izmir Zeqirit si kryetar i Zubin Potokut Foto:Adelina Ahmeti/KALLXO.com
Përgatitjet për betimin e Izmir Zeqirit si kryetar i Zubin Potokut Foto:Adelina Ahmeti/KALLXO.com

10:14 

Forca të rendit sigurojnë shkollën ku do të betohet kryetari i Zveçanit, Ilir Peci

Forcat e rendit nga Policia e Kosovës tashmë kanë siguruar perimetrin e shkollës “Isa Boletini” në Zveçan, objekt ky në të cilin do të mbahet sot ceremonia e betimit të kryetarit të Komunës se Zveçanit, Ilir Pecit.

KALLXO.com sjell fotografi nga ky vend ku shihen edhe ekipet policore jashtë objektit shkollor.

Kryetari i Zveçanit do të bëjë betimin e tij në shkollën “Isa Boletini” dhe jo në ndërtesën e Kuvendit Komunal.

Forca të rendit sigurojnë shkollën ku do të betohet kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

10:09

Kryetarët e 3 komunave nuk do ta kryejnë betimin në sallat plenare të Kuvendeve Komunale

08:05

Sot pritet të betohen kryetarët e rinj në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan

Kryetarët e rinj të komunave, Zveçan, Leposaviq, e Zubin Potok pritet të betohen sot për udhëheqjen e institucioneve komunale në veri të Kosovës.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, kryetar kryetari i ri i Zubin Potokut, u zgjodh Izmir Zeqiri nga PDK, në Zveçan Ilir Peci, po ashtu nga PDK-ja, ndërsa në Leposaviq Lulzim Hetemi nga LVV-ja.

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, që u zgjodh nga zgjedhjet e 23 prillit, mandatin si kryetar i kësaj Komune e ka marrë të premten e kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të mërkurën se betimi i kryetarëve të rinj, do bëhet në ndërtesa publike në këto komuna.

“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna, do të mbahen seancat e betimit për tre kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit. Kanë kaluar gjashtë muaj që kur këto komuna mbetën pa kryetar dhe dy prej tyre edhe pa kuvende, kurse banorët pa shërbime komunale. Kjo nuk është normale” – tha Kurti më 24 maj.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Komunat kanë mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.