Shefi i asamblistëve të LVV në Prishtinë, Gëzim Sveçla në konferencë për media | Foto: Kallxo.com

LVV kritikon pushtetin në kryeqytet: "Nuk hyjmë në koalicion me PDK-në apo LDK-në"

Këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë në një konferencë për media kanë kritikuar qeverisjen në kryeqytet.

Ata janë shprehur të pakënaqur të enjten më 22.02.2024, me menaxhimin e drejtorive komunale, ndërmarrjeve publike dhe zhvillimin e punimeve nga ana e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Këto kritika ata i kanë shpalosur pas disa ditësh, që kur Partia Demokratike e Kosovës ka shkëputur koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës në Prishtinë, më 08.02.2024 dhe që kur kryetari i Prishtinës Përparim Rama, më 05.02.2024 kishte marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës të kryeqytetit.

Sa i përket prishjes së koalicionit PDK-LDK, Gëzim Sveçla këshilltar komunal në Prishtinë, ka thënë se nuk janë të sigurt se kjo ndarje është përfundimtare e aq më pak e plotë, pasi sipas tij, bashkime e bashkëpunime, ndarje e ribashkime në mes LDK-së e PDK-së kanë parë në çdo kohë prej se ekzistojnë këto dy parti në skenën politike.

Ai deklaroi se nuk kanë pranuar zyrtarisht ndonjë ofertë për të qeverisur në kryeqytet, të cilën e quajti “të kotë”.

Tutje Sveçla tha se nuk hyjnë në koalicion me PDK-në dhe LDK-në, të cilat ai vlerëson se e kanë degraduar jetën në kryeqytet.

“LVV në Prishtinë dëshiron të bëjë të ditur opinionin se ne nuk bëhemi pjesë e asnjë koalicioni me subjekte që e kanë shndërruar Prishtinën në qytet të pajetueshëm e me probleme të shumta. Pra jo me LDK-në, jo me PDK-në” – ka thënë Sveçla.

Sipas tij, që kur PDK bëri të ditur daljen nga koalicioni me LDK-në në Prishtinë të paktën zyrtarisht nuk ka një shumicë qeverisëse.

Me këtë ai ka aloduar, se shumica absolute e drejtorëve komunal janë nga LDK. Ndërsa, sa i përket ndërmarrjeve publike komunale, Sveçla ka theksuar se ato vazhdojnë të drejtohen nga LDK dhe PDK, në raport 60 me 40.

Si rezultat i kësaj, ai shprehet se Kuvendi Komunal është i bllokuar dhe jofunksional, e që për këtë ai ka fajësuar PDK-në dhe LDK-në.

“Konkretisht 6 ndërmarrje menaxhohen nga LDK dhe 4 ndërmarrje menaxhohen nga PDK. Si rezultat i kësaj mjegulle politike të krijuar nga subjekte që deri më 08.02.2024 bashkëqeverisën në Prishtinë, pra nga LDK e PDK, Kuvendi Komunal i Prishtinës është i bllokuar dhe jofunksional tash e dy muaj. Nuk ka shumicë parlamentare, nuk ka mbledhje, nuk mbahen mbledhje, nuk ka diskutim e trajtim të problemeve enorme me të cilat ballafaqohen qytetarët e Prishtinës çdo ditë” – ka deklaruar Sveçla.

Visar Vitia, po ashtu këshilltar komunal nga LVV, ka bërë të ditur se cilat ndërmarrje publike komunale sipas tij menaxhohen nga PDK dhe LDK.

“Përveç drejtorive të ndara, PDK kishte marrë Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), Kompania Pastrimi, Hortikultura dhe Trafiku Urban, të gjitha këto 100% aksione PDK në to. Këto ndërmarrje edhe sot vazhdojnë të udhëhiqen nga njerëz të caktuar të PDK-së, ata mbajnë pozita të kryeshefave ekzekutiv, anëtarë bordesh dhe sekretarë dhe auditorë të brendshëm” – ka thënë Vitia.

Vitia teksa ka vënë në pyetje këto pozita të cilat pretendon se udhëhiqen nga PDK, ka kërkuar nga Rama dorëheqjen e tyre.

“Meqë PDK thotë se ka larguar të gjithë drejtorët nga kabineti i Përparim Ramës dhe të gjithë aksionarët e saj nga ndërmarrjet publike komunale, pse atëherë nuk i ka shkarkuar edhe anëtarët e bordeve në këto ndërmarrjeve po atë ditë. Nëse nuk i ka shkarku, pse nuk po ua kërkon dorëheqjen sot. PDK nuk mund të fshihet duke luajtur rolin e opozitarit, përderisa mbanë një këmbë në pushtet e tjetrën në opozitë” – ka shtuar ai.

Kurse, për Nora Kelmendin, po ashtu nga LVV, viti 2024 në kryeqytet ka filluar me keqpërdorime, shkarkime, bashkime të drejtorive, formime të drejtorive të reja si dhe emërime të drejtorëve të rinj.

Kelmendi ka vlerësuar se gjithçka ka filluar mbrapsht dhe sipas saj, “Prishtina sot është pa udhëheqje, pa kryetar”.

“Sot jemi në një Prishtinë pa vizion, pa udhëheqje, pa kryetar. Gjithçka filloi mbrapsht dhe gjithçka filloi keq, me shkarkime, ngarkime, të panevojshme. Prishtina me një kryetar ngarkim e shkarkim” – ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar se Kuvendi Komunal në Prishtinë po hyn në muajin e tretë të vitit 2024 pa mbajtur asnjë seancë.

“Prishtina pa Kuvend, i cili Kuvend është harruar fare nga kryetari e kryesuesi. U harrua obligimi ligjor që të mbahen së paku 10 seanca në vit, nga të cilat 5 gjatë gjashtë mujorit të parë, derisa ne po hyjmë në muajin e tretë të vitit 2024. U harrua për shkak të disa inateve politike, për shkak të ngarkimeve e shkarkimeve të kryetarit” – është shprehur Kelmendi.

Në anën tjetër, tri seancat e fundit të Kuvendit Komunal janë bojkotuar nga PDK.

Kelmendi ka përmendur inicimin e kërkesës për seancë të jashtëzakonshme nga LVV për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, si veprim ndaj pakënaqësisë për mosaktivizimin e Kuvendit Komunal.

“LVV në përkrahje edhe të partive tjera opozitare ka inicuar kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të rendit të ditës – shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal. Vlerësojmë se ky është një hap i domosdoshëm për qytetarët e këtij qyteti, në mënyrë që Kuvendi Komunal të funksionalizohet dhe të fillojë punën e vet” – ka përfunduar ajo.

Sa i përket ristrukturimit të kabinetit qeverisës në kryeqytet, Rama, më 02.02.2024, kishte njoftuar se për shkak të “gjendjes alarmante” me menaxhimin e mbeturinave e ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun, i cili vjen nga radhët e PDK-së.

Në vend të Musliut është vendosur Bekim Brestovci, ish-pjesëtar partisë NISMA.

Kurse, më 05.02.2024, Rama ka liruar nga detyra nënkryetaren e Komunës, Donjeta Sahatçiun, nga radhët e PDK-së.

Sahatçiu është liruar edhe nga pozita e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Arsimit.

Në vend të Sahatçiut, Rama ka emëruar si ushtruese të detyrës së nënkryetares dhe drejtoreshës së Arsimit, Jehona Lushaku- Sadriun nga LDK-ja.

Së fundi, më 20.02.2024, Sibel Halimi zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është emëruar drejtoreshë e Kulturës në kryeqytet. Këtë pozitë e ka mbajtur Arta Balaj nga PDK deri në shkëputjen e koalicionit me LDK-në.

Ndërsa, Donjeta Dragusha është emëruar drejtoreshë e Drejtorisë për Zhvillim Rural në Komunën e Prishtinës, më 20.02.2024. Kjo Drejtori më parë është quajtur Drejtoria e Bujqësisë dhe është udhëhequr nga Plator Gërdovci.