Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV: Data e zgjedhjeve në veri mbetet ashtu siç është, deri në vlerësimin e rrethanave në terren

Gjatë ditës së sotme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se do të zhvillojë takime me institucione të sigurisë për situatën në veri, teksa përmendi edhe opsionin e shtyrjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të vendit.

Mimoza Kusari Lila nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se deri sa të kenë një vlerësim të rrethanave në terren nga organet e drejtësisë, data e zgjedhjeve mbetet ashtu si ishte përcaktuar fillimisht.

“Deri sa të kemi një vlerësim të tillë lidhur me rrethanat në terren, data e zgjedhjeve mbetet ashtu si ishte përcaktuar fillimisht”- deklaroi ajo për KALLXO.com.

Kusari Lila theksoi se vlerësimi i organeve të sigurisë është ai i cili tregon kushtet apo mundësitë për mbajtjen e procesit zgjedhor.

“Vlerësimi aktualisht pritet prej organeve të sigurisë. Natyrisht se vlerësimi i tyre është ai i cili tregon kushtet apo mundësitë për mbajtjen e procesit zgjedhor”- tha shefja e grupit parlamentar të LVV-së.

“Secili institucion i ka përgjegjësitë dhe obligimet e veta për të siguruar mbarëvajtje të procesit zgjedhor”- shtoi Kusari Lila.

LVV-ja pritet të garojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore me numër 115. LVV për kandidat në Leposaviq ka kandidat Lulzim Hetemin, për Zubin Potok ka kandidat Flatron Hasanin, për Zveçan Fetah Peci dhe për Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq.

Ndërsa, sekretari për Organizim dhe Zgjedhje në Partinë Demokratike të Kosovës Betim Gjoshi, ka thënë për KALLXO.com se janë pro mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të krijoj klimë dhe kushte për mbajtjen për zgjedhjeve në veri të vendit.

Presidentja Osmani para mediave, sot tha se nëse vjen propozimi nga KQZ-ja te presidenca për shtyrje të zgjedhjeve, atë herë ajo do t`i konsultoj partitë politike prej të cilave duhet të krijohet konsensus.

Më 14 nëntor, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimeve me partitë  politike dhe me KQZ-në, ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve  të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Ditëve të fundit dyshohet se serbët lokal nuk lejuan vendosjen e zyrtarëve të lartë të përzgjedhur nga KQZ për të nisur punën për procesin e zgjedhjeve që priten të mbahen më 18 dhjetor.

Mbrëmë në lagjen e Boshnjakëve dhe kodrën e minatorëve janë regjistruar disa shpërthime.

Shpërthime të tilla në këtë zonë ka pasur edhe gjatë ditës së martë.

Në veri të vendit po vazhdon të ketë monitorim nga organet e rendit, saktësisht nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i pas tensioneve të fundit të cilat u shënuan ditë më parë.