VIDEO - Veriu po monitorohet nga organet e rendit

Në veri të vendit po vazhdon të ketë monitorim nga organet e rendit, saktësisht nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i pas tensioneve të fundit të cilat u shënuan ditë më parë.

Ditëve të fundit dyshohet se serbët lokal nuk lejuan vendosjen e zyrtarëve të lartë të përzgjedhur nga KQZ për të nisur punën për procesin e zgjedhjeve që priten të mbahen më 18 dhjetor.

KALLXO.com po qëndron në veri të vendit ku po përcjellë nga afër zhvillimet që po ndodhin në këtë zonë.

Deri më tani gjendja në veri është e qetë ndërsa mbrëmë në lagjen e Boshnjakëve dhe kodrën e minatorëve janë regjistruar disa shpërthime.

Sipas burimeve të KALLXO.com shpërthimet janë regjistruar në ora 20:38.

Shpërthime të tilla në këtë zonë ka pasur edhe gjatë ditës së martë.

Ministri i Punëve të Brendshëm Xhelal Sveçla mbrëmë tha në një konferencë se në sulmet në veri të vendit që ndodhën dy ditë më parë janë të përfshirë edhe ish-zyrtarë policor që dhanë dorëheqje javë më parë.

“Pas shpalljes së zgjedhjeve, dje Policia ka asistuar funksionalizimin e zyrave komunale zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut. Siç jemi dëshmitarë, banda kriminale kanë penguar fillimin e një prej proceseve më të rëndësishme përmes metodave terroriste. Këto grupe të mbështetura nga Serbia dëshmuan se janë kundër të drejtës fondamentale të qytetarëve të këtyre komunave për të zgjedhur udhëheqësit e tyre”- ka thënë Sveçla.